Një dyqan lëmshesh në Prishtinë është vendi më i frekuentuar gjatë dy stinëve të fundit, nga personat që kohën e kalojnë duke thurur me kërrabëza.
Në raftet e vogla prej druri janë të renditur shumë lëmshe. Me ngjyra pasteli, të ndezura, me apo pa pika janë produktet që ky dyqan ofron, raporton KOHA.
Rrahmon Feta, pronari i kësaj pike, tregon se nuk furnizohet vetëm në Kosovë.
E ajo që pjesën më të madhe të kohës e kalon në këta metra katror është Zymrije Feta. Ajo thotë se çdo herë është në dispozicion të klientëve e që shumica prej tyre janë gra të moshës së shtyrë.
Kurse, sa u përket shitjeve e ngjyrave të zgjedhura, sipas Zymrijes, variojnë në bazë të stinëve.
Përveç shitjes së lëmsheve me ngjyra, Zymrija shet edhe punimet e saj prej leshi. Këto konsistojnë të jenë: çorape, jelek, kapela për të vegjlit e shumëçka tjetër.
Pronari i këtij dyqani thotë se trendët e fundit të modës kanë bërë që të rritet kërkesa e produkteve.
Për më shumë se 2 dekada këto lokale nuk kanë ndryshuar shumë pamjen dhe si të tilla janë të njohura edhe jashtë kryeqytetit, si vendi ku mund të blihen lëmshet e aksesorë të tjerë.