Në Podujevë shumë të rinjë po ushtrojnë boks dhe kickboks. Trajnerët thonë që ky sport përveç që është shumë i mirë për trupin po i ndihmon personat edhe të humbin peshë dhe të largohen nga dukuritë negative dhe të merren me sport.
Ka ardhur në kohën e duhur dhe po fillon përgatitjet për stërvitje. Tash e 6 vjet, 23-vjeçari Dorentin Hasani ushtron kickboks.
Nxehjet e para i bënë këtu në palestrën “Hakif Zejnullahu”, në Podujevë.
Përgatitjet nuk marrin shumë kohë dhe trajnerët fillojnë t’i stërvitin rreth 15 persona që ishin prezentë.
Trajneri i Kickboksit, Arian Havolli, thotë se interesimi i të rinjve për të ushtruar këtë sport kohët e fundit ka shënuar rritje të dukshme.
“Ne kemi qenë të anëtarësuar moti nëpër federata e po ashtu kemi vazhduar gjatë gjithë kohës me gara. Mirëpo tash MMA-ja është legalizuar edhe në Kosovë dhe po shpresojmë të vazhdojmë edhe me gara të tilla. Interesimi është jashtëzakonisht i madh, po shpresojmë që të vazhdojmë kështu. Synimi ynë është që të rinjtë t’i nxjerrim prej rrugës dhe t’i sjellim këtu dhe bashkë t’i luftojmë dukuritë negative dhe të merren me sport më shumë”, tregon Havolli.
“Unë në Podujevë jam trajner qe 17 vjet dhe interesimi është jashtëzakonisht i madh. Këtu në klubin tonë me hapjen e palestrës së re kemi pasur që në fillim anëtarësim të 50 anëtarëve. Palestra është më e madhe dhe po mundemi të anëtarësojmë edhe më shumë njerëz. Por interesimi ka qenë gjithherë i madh”, shton Havolli.
Kushtet për të ushtruar, kikboks, xhudo dhe sportet tjera në këtë palestër janë përmirësuar pas rinovimit të saj nga Komuna e Podujevës.
“Mbështetja nga Komuna ka qenë e madhe. Sidomos në këta 2-3 vjetët e fundit ka qenë shumë e madhe. Ata e kanë zgjeruar palestrën, se ka qenë shumë e vogël. Ka qenë komplet investim i Komunës, pjesën tjetër pastaj e kemi bërë ne. Përpos asaj, na ka ndihmuar edhe me organizimin e garave dhe me çdo ide që e kemi pasur ne si klub na kanë ndihmuar. Unë mund të them që jam i kënaqur me punën dhe shpresoj që të vazhdoj kështu. Ka ardhur koha, mund të them, që edhe institucionet e kanë parë që sporti është një ambasador i madh dhe shpresoj që të vazhdojë në këtë mënyrë”, thotë Havolli.
Se fundi në këtë komunë është themeluar edhe klubi i boksit. Trajneri Kushtrim Potera thotë që presin që edhe në boks të ketë interesim po aq sa edhe në sportet tjera.
“Grupmoshat janë të ndryshme, por mbizotërojnë moshat e reja, mund të them që disa prej tyre përveç si hobi që e kanë, vijnë edhe për të humbur peshë, ata vijnë më rrallë sesa të tjerët garues. Por zakonisht 40 persona janë prezentë këtu gjatë stërvitjeve. Ka garues që i rekomandon mjeku, por edhe vetë me dëshirën e tyre vijnë, sepse duke ushtruar boks humbin peshë më shpejt sesa në fitnes. Për boks janë të interesuar më shumë grupmoshat 16 dhe 17 vjeç, por duhet ta kenë më shumë përkrahjen për të shtyrë një nxënës që të ecë përpara”, tregon Potera.
Ai tutje tregon se klubi tanimë numëron shumë medalje nëpër gara të ndryshme që i ka fituar.
“Këtu përveç boksit ka edhe sporte të tjera që ushtrohen. Vetëm sa kemi nisur me boks dhe ende nuk kemi ndonjë medalje. Mirëpo këto medalje vijnë prej garave të kickboksit, xhudos dhe MMA-së. Medalja më e rëndësishme në klubin tonë është brezi që e ka marrë trajneri Arian Havolli në garat e kickboksit”, thotë Potera.
Vite më parë në klubin e tyre ka pasur edhe vajza të cilat kanë ushtruar kikboks, mirëpo këtë vit sipas trajnerëve ka rënë interesimi i tyre.