Turshi, ajvar, pite, reçele të ndryshme dhe produkte të qumështit janë ato që kanë zënë vend në tryezën e familjes Bicaj nga Vrella e Istogut.
Nuk mungon as çaji i mentës, i cili këtë vjeshtë është ai me të cilin Arbeni dhe Safetja nisin ditën.
Të gjitha i mbledhin dhe i kultivojnë vetë.
Këtë së fundmi nuk po e bëjnë vetëm për familjen, por edhe për ata që duan të blejnë produkte fshati.
“Së pari i kemi pasur 15 ari lule, pastaj edhe 10 ari çaj mente. Kemi arrit me kultivu deri në 60 ari me çaj. Pastaj merrem edhe me turshi, ajvare, reçele. Krejt këto i kam bio kushdo që është i interesuar t’i provojë prej tyre mirë se ardhtë”, u shpreh Safete Bicaj.
Idenë e pati Safetja, por që në punë është inkuadruar edhe Arbeni. Dita e tyre nis në orën 6 dhe puna përfundon në orën 19.
“Zgjohem në ora 6 të mëngjesit edhe gruaja zgjohet në këtë orë zakonisht më përgatit çaj para se mu nis për punë. Unë shkoj në punë ndërsa gruaja vazhdon ditën me punët e saj. Në ora 19:00 në mbrëmje kthehem nga puna dhe çdo kohë të lirë që kam i ndihmoj gruas në punët e shtëpisë. Edhe të tjerëve ju them t’ju ndihmojnë grave të tyre, pra një bashkëjetesë bashkëshortore të jetë e njëjtë dhe të jetojnë të lumtur”, tha Arben Bicaj, banor i fshatit Vrellë.
Safetja i motivon vajzat dhe gratë e tjera që të merren me atë që e dinë dhe e duan. Sipas saj, suksesi arrihet vetëm me punë.
“Çdo gruas ju bëj apel që në shtëpitë e tyre të merren me ajvara, turshi apo gjëra të tjera që të kenë mundësinë e vetëpunësimit. Mund t’ia arrijnë sikurse unë normal me mbështetjen e burrit dhe fëmijëve”, shtoi ajo.
Safetja për sukseset e saj përkrahjen më të madhe e ka marrë nga familja.
“Bashkëshortja ime ka filluar të merret me përgatitjen e ushqimeve dhe çajreve natyrale dhe unë jam ndihmës i saj. E kam përkrah shumë në mbjelljen e bimëve mjekësore dhe aromatike, perimeve si dhe përgatitjen e ajarit, specave turshi, reçeleve etj”, deklaroi Arben Bicaj.
Bicaj nuk mund ta paramendojë jetesën larg fshatit.
“Në qytet me ma dhënë falë shtëpinë nuk kisha jetuar, sepse kam jetuar 54 vjet në fshat dhe fshati për mua është gjithçka. Nuk ka jetë pa fshat. Edhe mysafirët kur vijnë te ne e lavdërojnë ushqimin pasi që gruaja ime gatuan shumë mirë”, pohoi ai.
Pjesë e tyre është edhe bletaria. Safetja kujdeset më shumë për to, por thotë se me shtimin e koshereve do të punësojë edhe gra të tjera nga fshati.
“Merrem me bletë që 2 vjet jam bletare e re, ja kam nis me 4 koshere, për momentin e kam 20. Edhe këto i kanë ato vetit e veta duhet të kujdesemi për to pasi që mund të dëmtohen nga parazit s’po insektet e tjera. Me qenë koha e mirë nga një koshere me bletë i nxjerri deri në 20 kilogram mjaltë. Me 4 koshere ja kam nis, aktualisht 20 I kam por pretendoj që vitin tjetër t’i kem 50-60 koshere me blete. Nëse zgjerohem mendoj që t’i punësoj edhe dy punëtore”, u shpreh Safete Bicaj.
Produktet e tyre, çifti i shet kryesisht me porosi e nëpër tregjet e Istogut e Pejës.