SOT

Rrëfimet e Krenar Xhaferit për vitet e luftës në Kosovë

Jemi mësuar që vazhdimisht ta shohim në aktivitete e ngjarje politike.

Mirëpo kësaj here Krenar Xhaferi, që mban edhe pozitën e drejtorit të Investimeve Kapitale, ka vendosur që jashtë politikës ta botojë librin e tij me rrëfime.

I titulluar “Terr e dritë”, libri përmban rrëfimin e tij dhe të pesë personave të tjerë për vitet e luftës në Kosovë. Thotë se libri është dedikim për djemtë e tij, Kronin dhe Nolin, që gjeneratat e reja t’i mësojnë përjetimet e shqiptarëve në vitet 90-99.

“Pikërisht vitet 1998-99 rrëfehen ngjarjet. Është libër rrëfimesh është rrëfimi im përgjatë këtyre viteve dhe pesë rrëfime të personave të tjerë që rrëfehen në kapituj të ndryshëm dhe që plotësohen pastaj me rrëfimin tim. Në fillim të librit e kemi rrëfimin e shkrimtarit Hakif Zejnullahu që është detyruar që të gjithë librat e tij t’i shesë për të mbijetuar në kohë lufte, sepse sistemi i atëhershëm e ka larguar nga puna. Kjo ngjarje u ka ndodhur edhe shumë intelektualëve të tjerë në Kosovë në atë kohë. Në libër është përfshirë edhe koha e shtëpive shkolla dhe vështirësitë e organizimit të mësimit...”, thotë Xhaferi.

Në kohën e luftës, shtëpia e familjes Xhaferi ishte shndërruar në shtëpi shkollë për studentët e Fakultetit të Makinerisë. E vetë Krenar Xhaferi e kishte një rol të pazëvendësueshëm në këtë proces si i ri në atë kohë.

“Unë në periudhën e viteve ’90, kam qenë 7 deri në 15 vjeç. Kjo është periudhë unike në historinë e vet. Në shtëpinë tonë, si shtëpi shkollë, ka qenë i vendosur Fakulteti i Makinerisë dhe i kemi përjetuar netët kur serbët na kanë bastisur. Shumicën e maltretimeve që ua kanë bërë studentëve i kemi përjetuar edhe ne vetë, si familje. Një ndër detyrat kryesore të miat ka qenë të lajmërohem në telefon për dhjetëra provime të studentëve që është dashur t’i shikoja a e kanë dhënë provimet. I kemi përjetuar edhe protestat, në kohën e bombardimeve, kemi qenë me familje në lagjen “Arbëria’, më kujtohet si sot kur i kemi mbushur shishet me fitila të zjarrit që nëse vijnë serbët, të vetëmbrohemi. Ka qenë arma e vetme në atë kohë që kishim”, tregon ai.

Vetë i ka mbledhur rrëfimet e thotë se të shkruarit e librit ishte shumë emocionues.

“Për mua ka qenë shumë e vështirë shkruarja e këtij libri. Ka pasur shumë emocione deri këtu, ka pasur shumë lot. Unë i kam xhiruar rrëfimet e të gjithëve në këtë libër. Gjatë gjithë atyre fjalëve ka pasur lot sepse ka pasur shumë dhimbje në këto vitet që i kemi kaluar. Ne duhet t’i kujtojmë duke i kujtuar të gjykojmë më drejt kur ne vetë rrugëtojmë. Ky në fakt është edhe vetë mesazhi i librit”, tregon Xhaferi.

Ai ka theksuar se ka tri vjet që kur libri i shkruar është në emailin e tij. 

“Prej qe e kam marrë detyrën si drejtor i Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës, nuk kam pasur shumë mundësi të merrem me të. Mund të them vetëm në këta katër muajt e fundit jam marrë më shumë me të, për shkak të dizajnit, letrës dhe botimit. Në përgjithësi, libri është kryer para tri vitesh në një takim të rastësishëm u krijua një situatë dhe doli. 2 vjet më ka marrë kohë ta shkruaj”, tregon ai.

Libri tanimë është publikuar, e autori shpreson se nuk do t’i harrojmë rrëfimet e luftës.