Të komunikosh me të nuk është e lehtë. Duhen kode të ndryshme për ta programuar. Ky është roboti humanoid me 29 akse, i cili ditëve të fundit është bërë pjesë e departamentit të mekatronikës në Universitetin e Prishtinës. Përmes tij studentët bashkë me profesorët do të mësojnë kodime të ndryshme për t’i futur në lëvizje pjesët e tij dhe shtimin e shërbimeve të tjera.
Profesori Xhevahir Bajrami ka treguar se ky robot është një ndër sistemet më komplekse për shkak të qëndrimit në këmbë.
I tregon edhe disa nga funksionet dhe lidhjen që ka softweri me të.
“Ky robot mund të qëndrojë në këmbë, të kërcejë dhe të bëjë lëvizje të ndryshme. Madje do ta programojmë të flasë edhe shqip”.
Ky robot, sipas profesorit Arbnor Pajazitit, është arritja më e fundit në këtë departament. Megjithatë, ai ka treguar edhe pajisjet e tjera që janë pjesë e këtij laboratori.
“Në këtë laborator ka pajisje të ndryshme teknologjike të krijuara nga studentët në bashkëpunim me ne”.
Lavjerrësi i inventuar është niveli fillestar për kontrollin automatik. Këtë e tregon edhe studenti Fisnik Tishukaj.
Viteve të fundit, sipas profesorëve të këtij departamenti, numri i vajzave të interesuara për këtë drejtim po shkon gjithnjë në rritje. E vlera e gjithë këtyre pajisjeve në këtë departament shkon deri në gjysmë milioni euro.