SOT

Rikonceptimi i ekspozitës “Cikli i jetës” në Muzeun Etnologjik

Ekspozita e përhershme “Cikli i jetës” në Muzeun Etnologjik në Prishtinë është në proces e sipër. Vizitorët mund të shohin vetëm eksponatet e një prej dy shtëpive që tregojnë jetën qytetare në kompleksin “Eminxhiku”. 

Ekspozita që po rikonceptohet përmban rreth 1 mijë eksponate, të cilat pasqyrojnë fazat e ndryshme të jetës tradicionale. Pasqyrojnë jetesën qysh prej fëmijërisë deri në mosha të shtyra. 

Ekspozita është një mundësi e veçantë për ata që duan të eksplorojnë dhe kuptojnë më mirë trashëgiminë kulturore të rajonit dhe ndikimin e saj në jetën e përditshme.

“Restaurimi, konservimi i eksponateve ose i vetë objekteve vazhdon të mirëmbahet. Punimet me objektin e shekullit 19 kanë përfunduar. Dhe jemi në proces të ekspozitës së përhershme, shpresojmë që gjatë këtij viti ta kemi edhe ekspozitën e përhershme. Restaurimi i objektit është mbështetur nga Ministria e Kulturës. Shpresojmë që të nisë ekspozita ‘Cikli i jetës’, që përfshin rreth 1 mijë eksponate, thotë ciceroni Ilir Spojani. 

Muzeu Etnologjik i Prishtinës ndodhet në një objekt historik të ndërtuar në shekullin 18, që ka shërbyer si rezidencë private e familjes së njohur tregtare të Emin Gjikut. 

Në vitin 2006, objekti u shndërrua në Muze të Etnologjisë, duke shfaqur artefakte të jetës së përditshme, veshje tradicionale, vegla pune, stoli dhe elemente të tjera që përfaqësojnë traditat dhe kulturën shqiptare.

“Në kompleksin e Muzeut Etnologjik të familjes së dikurshme Emin Gjiku, e cila ka jetuar deri në vitin 1958, gjenden katër objekte, këtë pjesën e vjetër të qytetit. Në hyrje ka qenë ahuri dhe bujtina në katin e dytë. Dikur familja ka pasur dyqanin, në shtëpinë e gurit që njihet tani. Kompleksi ndahet në një hapësirë tjetër ku jemi aktualisht në objektin e shekullit 18, apo shtëpinë e parë të familjes së Emin Gjikut. Objekti dikur ka qenë 1/3 më e madhe por ajo pjesë rrënohet kur familja shpërngulet në Turqi. Pas shpërnguljes së familjes muzeu hapet si muze i natyrës biologjike, i cili ka funksionuar deri në vitin 2000. Pastaj në vitin 2006, bashkë me kolegët e kemi hapur si muze etnografik, ende vazhdon si i tillë dhe janë bërë 18 vjet. Gjatë këtyre viteve kem pasur ekspozita të përhershme si në objektin e shekullit 18 po ashtu edhe në objektin e shekullit 19”, thekson Sopjani.

“Në vitin 2006, më 11 shtator ne e kemi hapur si Muze Etnologjik me ekspozita të përhershme në objektin e shekujve 18 e 19. Atëkohë e kemi pasur edhe një ceremoni ku i kem ftuar edhe familjaret e gjeneratës së fundit nga familja Gjiku. Pas ceremonisë familjarët e kanë vizituar gjithë kompleksin. Gjeneratat e vjetra normal që kanë pasur nostalgji, pasi që disa prej tyre kanë jetuar këtu. Kohën kur janë shpërngulur kanë qenë rreth 5-vjeçarë. Kanë qenë të kënaqur për trashëgiminë kulturore përmes këtij kompleksi”, shton ai.  

Muzeu ofron një pasqyrë të pasur mbi jetën dhe zakonet tradicionale shqiptare, përmes eksponateve të mbledhura gjatë shekujve 18,19 dhe 20.

“Në shtëpinë e familjes Emin Gjiku e kemi dhomën e mysafirëve, ka dhomën e ditës dhe poshtë e ka pjesën e kuzhinës. Edhe banja, e ashtuquajtur hamamgjik, është pjesë e kësaj. Kjo ka shërbyer vetëm për larje, sepse tualetet kanë qenë në oborr. Kjo ka qenë me sistemin e ngrohjes qendrore, po flasim për një objekt dikur rreth 300-vjeçar. Ndërsa dhomat e fjetjes nuk ekzistojnë, ngase objekti ka pësuar ndryshime gjatë kohës. Në këtë objekt janë të mbledhura eksponate nga familje të ndryshme, si nga enët, pjesa e tekstilit, drurit. Nuk i takojnë familjes, por janë mbledhur në kohë të ndryshme”, thotë Sopjani.

Kompleksi me katër objekte të vjetra është nën mbrojtje shtetërore. 

Muzeu Etnologjik në Prishtinë, pjesë e Muzeut të Kosovës, është një prej muzeve të Kosovës që mund të eksplorohen edhe nëpërmjet platformës online “muzeu.info”. 

Platforma është veçanërisht e rëndësishme në kontekstin e rritjes së numrit të vizitorëve, si vendorë ashtu edhe të huaj, që janë të interesuar t’i njohin historinë dhe kulturën e Kosovës.

“Janë bërë mbi 10 vjet që Muzeu Etnologjik vazhdon të jetë atraksioni kryesor sipas disa ueb-faqeve ndërkombëtare. Numri i vizitoreve sa vjen e shtohet. Për 20% është rritur numri i vizitorëve në vitin 2024 krahasuar me vitet e kaluara. Muzeu është i hapur çdo ditë nga ora 10:00 deri 17:00, pos të hënave. Është pa pagesë. Për kategoritë të cilat nuk mund ta shohin muzeun nga afër, kanë mundësi që ta shohin përmes platformës online. Kjo platformë është lansuar në vitin 2020. Sezoni e turizmit fillon nga marsi dhe përfundon me muajin nëntor. Shkollat nga fillore e të mesme i kanë në planprogram vizitat nëpër muze të trashëgimisë kulturore. Por kryesisht na vizitojnë vetëm në ndonjë datë të veçantë. Pjesa dërrmuese e vizitorëve janë të huaj, prej vendeve të tjera të botës”, tregon Sopjani. 

Platforma online “muzeu.info” ka nisur si ide si pasojë e pandemisë COVID-19. Kjo platformë është menduar si alternativë për të interesuarit që të eksplorojnë trashëgiminë kulturore edhe në kushte të kufizimeve fizike.