SOT

Ragbistet e para kosovare me synime të mëdha

Edhe pse nuk ka traditë të gjatë në vend, si sport, ragbi ka arritur të mbledhë të rinj sportdashës në Kosovë.

Por, janë të rejat ragbiste, ato të cilat synojnë ta zhvillojnë më tej një sport të tillë.

Për afro 5 vjet luajnë me skuadra vendore e ndërkombëtare.

Ato shpresojnë që shumë shpejt do të formohet edhe kombëtarja e ragbit për femra.

Drita Shujaku, që njëherazi është ndër të parat në këtë sport, tregon për fillimet e saj në ragbi.

“Unë kur kam filluar nuk e kam pasur idenë se çfarë është ky sport, e mbaj në mend stërvitjen e parë që vrapoja shpejt, mendoja që duhet me qenë e para. Në fakt, nuk e kam ditur që rregulla është me qëndrua mbrapa lojtares që e ka topin. Gradualisht i kam mësuar rregullat e ragbit se si shkon loja”, u shpreh Shujaku.

Ajo thotë se rregullat e kësaj loje i ka mësuar shumë shpejt.

“Ka disa lloje të ragbit, ne luajmë ragbin me 7 lojtarë në fushë dhe zgjat 7 minuta pjesa. Gjithsej loja zgjat 14 minuta, por zakonisht ne luajmë me ekipe 2-3 lojëra në ditë. E veçanta e ragbit është se ka rregulla shumë specifike, teknikat e këtij sporti janë më ndryshe se sportet e tjera. Duhet me pas kujdes mos me lëndua kundërshtarin, si dhe referi te ky sport ka respekt të madh”, shtoi ajo.

Sipas 26-vjeçares, në klubin ku ushtrojnë ka vështirësi të ndryshme.

Por, në veçanti e thekson mungesën e interesimit të vajzave në këtë sport.

“Ekipi ynë zhvillon stërvitje një herë në javë nga 2 orë, shumica prej nesh merren edhe me sporte të tjera dhe fitnes. E kemi kryesisht si hobi, por kemi marrë pjesë edhe në garat jashtë Kosovës. Po mundohemi që ta formojmë një ligë ballkanike në mënyrë që të zhvillojmë lojëra me vendet ndërkombëtare”, deklaroi Shujaku. “Turneun e parë e kemi pasur në Bullgari, eksperienca ka qenë e mirë. Si ekip e kemi fituar vendin e tretë”. Këtë vit është formuar kombëtarja e meshkujve në ragbi, kurse te kombëtarja e femrave na mungon prezenca e femrave”.

Edona Hajredinaj nga Prishtina, para se të jetë pjesë e klubit të ragbit, ka luajtur në sportet e tjera luftarake.

Veten po e gjen më shume në këtë sport, shprehet ajo.

“Më herët kam luajtur sporte individuale dhe pas një kohe mendova që të ndryshoj llojin e sportit, vendosa me u interesua për ragbi. E veçanta e ragbit për mua është se ta rritë konfidencën, për një vajzë është me rendësi kjo”, tha Hajredinaj.

E Mërgimtare Berisha ka 4 vjet që merret me këtë sport, derisa u drejtohet me thirrje edhe vajzave të tjera që të përfshihen këtë sport.

“Përmes një shoqes kam shpreh interesim që të merrem me këtë sport. E mira e ragbit është se gjithkush mundet me gjet veten ose te shpejtësia ose ndonjë teknikë tjetër. Vajzat së pari duhet ta provojnë ketë lloj sporti për të kuptuar talentin e tyre. Ne u bëjmë thirrje çdo herë përmes rrjeteve sociale që ato të marrin pjesë e ta shfaqin talentin e tyre”, pohoi Berisha.

Berisha si futbolliste dikur, di ta bëjë diferencën më së miri se sa dallon ragbi nga sportet e tjera.

“Përveç ragbit merrem edhe me hiking, biçikletë si e vogël edhe futboll kam luajtur. Ragbi është shumë i ndryshëm prej sporteve të tjera, p.sh me futboll e pason topin para, ndërsa me ragbi pas, kjo mu ka dashtë kohë për me mësuar”, shtoi ajo.

Berisha insiston që të formohet kombëtarja e vajzave.

Sipas saj, Ragbi ka aftësinë t’i thyejë barrierat dhe të ndërtojë miqësi me shumë nacionalitete.

“Jam ndër çikat e para që ia kemi nisur me luajt në ragbi. Për shkak të mungesës së ekipeve në Kosovë, turniret i mbajmë jashtë Kosovës. Është menduar që të formohet kombëtarja e vajzave në ragbi, sepse në klub kemi vajza ndërkombëtare dhe është më mirë që vajzat tona ta përfaqësojnë vendin tonë me këtë sport”.

Sporti i ragbit nuk ka përmasat e sporteve të tjera, por po zhvillohet gjithnjë e më shumë në Kosovë dhe në vendet e rajonit.