Pemët, perimet, qumështi, uji e vezët janë vetëm disa nga produktet ushqimore, çmimi i të cilave u rrit gjatë vitit 2024 krahasuar me vitin 2023, tregojnë të dhënat e Agjencisë së Statistikave.
Sipas këtyre të dhënave, çmimet u rritën për 1.1 për qind në bazë vjetore, ndërsa 0.7 për qind në atë ditore.
Kjo po i shqetëson tash e një kohë qytetarët e Kosovës, të cilët gjatë ditës së hënë kanë bojkotuar marketet që, sipas tyre, kanë bërë ngritje enorme të çmimeve.
E kërkesa e tyre drejtuar qeverisë që do të formohet ka qenë pikërisht ulja e inflacionit dhe ngrija e pagave dhe pensioneve.
“Mirë është të bojkotohen marketet e mëdha që kanë ngritur çmimet. Por nuk janë fajtore vetëm vetëshërbimet. Mendoj që jo në aspektin që është shikuar më herët që qeveria duhet t’i drejtojë çmimet, por megjithatë Qeveria ka mundur që t’i heqë disa taksa, sepse ne varemi prej importit. Unë nuk i kam kuptuar as grantet që Qeveria ua ka dhënë, e në anën tjetër, nuk po mund ta mbulosh prodhimin tënd. E jo, jepu para njerëzve prej këtu e importo ende prej jashtë. Pagat dhe pensionet do të duhej që të ngriheshin”, thotë një qytetar.
“Është shumë me vend që t’i bojkotojmë këto markete. Në shtetet e rajonit ka filluar tanimë që të aplikohet kjo si shenjë revolte, kjo gjë është domosdoshmëri, sepse çmimet janë shumë të larta, më mirë vonë se kurrë. Edhe ne duhet t’i bëjmë presion më shumë qeverisë që do të formohet, kërkesa jonë është që të ketë ulje të menjëhershme që ta shpëtojë qytetarin e vet. Kjo duhet ët jetë prioritet i qeverisë së re”, thekson një tjetër.
Ndërkohë që mbështet idenë e bojkotimit të marketeve, ekonomisti Jakup Bellaqa thotë se shporta e qytetarit është shtrenjtuar dukshëm.
“Bojkoti duhet ta ketë efektin e vet, sepse çmimet te ne janë jashtëzakonisht të larta . Pra çmimet elementare bazike, të mallrave dhe higjienës, që janë shumë të larta për shportën e qytetarit dhe çmimet janë të papërballueshme dhe më të larta sesa në vendet e Perëndimit, ndërsa pagat nuk janë sikurse në Gjermani, bie fjala. Inflacioni çdo muaj është duke u ngritur. Nëse e krahasojmë me vitin 2023 ka shumë dallim dhe këtë nuk mund ta përballojnë ekonomitë familjare. Ne duhet të bëjmë ashtu siç bëjnë edhe vendet e tjera, pra t’i bojkotojmë këto markete”, deklaron Bellaqa.
Thotë se nëse shteti nuk do të ndërmarrë diçka, inflacioni do të vazhdojë të ngrihet.
“Qeveria e re duhet ta ketë prioritet, për çmimet e larta të merr masa kundrejt inflacionit dhe çmimet e larta për produktet bazike. Pagat duhet të ekuilibrohen sikur në sektorin publik edhe në atë privat. Duhet të ngrihen pagat gjithqysh. Nëse nuk ndërmerret diçka, inflacioni do të shënojë ngritje edhe më shumë. Besoj që vendosja e çmimeve tavan do të ishte një zgjidhje e mundshme”, thekson Bellaqa.
Gjatë të hënës shumë qytetarë i janë bashkuar iniciativës së bojkotimit të marketeve të mëdha, duke ndjekur kështu shembullin e disa vendeve të Ballkanit.