Kanë shumëllojshmëri të aktiviteteve, ku shpeshherë edhe personat me aftësi të kufizuara janë pjesë e tyre përmes bashkëpunimeve që ka “Handikos” me shumë organizata dhe biznese.
E i radhës është punimi i qeramikës me baltë, i cili po nxjerr në pah talentin e tyre në këtë fushë.
Është studio “Ura” e cila i ka hapur dyert e saj për këtë kategori. Për 6 javë të rriturit me aftësi të kufizuara, por edhe prindërit e fëmijëve do të trajnohen për këtë punë.
Sadete Dubova është një nga to e cila thotë se puna me baltë për të është një aktivitet i panjohur më parë dhe se është shumë entuziaste për këtë trajnim.
“Kur më është bërë ftesa për trajnim, për mua ishte diçka e panjohur dhe nuk kisha ide se çfarë ishte. Duke biseduar me anëtarët e tjerë që kishin marrë pjesë në këtë trajnim para meje, atëherë u bëra shumë kurioze dhe mezi prita t’ia filloja”, thotë Dubova.
Ajo pohon se kjo punë është shumë relaksuese për të dhe mendon në të ardhmen ta kthejë në profesion.
“Më ka pëlqyer shumë dhe do të doja ta vazhdonim edhe më tej këtë trajnim, jo vetëm 2 javë”, shton ajo.
Pjesë e trajnimit është edhe Mimoza Bytyqi-Rrahmani, nënë e një djali me aftësi të kufizuara.
“Grupi këtu është shumë i mirë dhe javën e kaluar e kemi bërë një pjesë të trajnimit, jemi ndarë shumë të kënaqur dhe gjatë punës po na vijnë edhe ide të reja, po na stimulon për punën që do të mundnim ta punonim në të ardhmen”, tregon ajo.
Sipas saj, këta persona kanë nevojë për sa më shumë aktivitete që edhe humori i tyre të jetë i mirë dhe t’u shërbejë për të ardhmen si aftësim në punë.
Artistja Laura Sllamniku-Kryeziu tregon se deri në finalizimin e një vepre nga balta duhet kohë. Nis me përpunimin e bazës e përfundon me ngjyrosjen.
“Projekti ka kohë që është menduat. Gjatë punës në studio me baltë, e kam vërejtur që puna me të është shumë relaksuese. Qëllimi ka qenë me ia ofru mundësinë secilit, për 6 javë kemi punuar me grupe dhe punët që janë realizuar deri tash, janë të mrekullueshme”, thotë artistja.
Deri më tani një grup i anëtareve të “Handikosit” ka kryer trajnimin e tyre 3-javësh dhe punimet unike të tyre në të ardhmen mund të ekspozohen edhe për shitjen e tyre.
Anëtarët gjatë këtij trajnimi mund të punojnë vazo dhe enë dekorative, pjata dhe kompozicione për mur, e shumë krijime të tjera.