Kartolinat më të bukura për festat e fundvitit mund t’i gjeni në shoqatën “Down Syndrome Kosova”. Të gjitha janë punëdore nga anëtarët e kësaj shoqate.
Me ardhjen e festave, e në veçanti ato të fundvitit, interesimi për kartolina shtohet më shumë.
Edhe anëtarët e shoqatës “Down Syndrome Kosova” këto ditë kanë nisur punën intensive pasi që edhe porositë e para për kartolinat e punuara nga duart e tyre kanë filluar.
Riada Stanovci nga “Down Syndrome Kosova” thotë se anëtarët e angazhuar janë ata mbi 16 vjeç dhe se punën me kartolina po e shijojnë tej mase.
“Ne veçse kemi filluar përgatitjet tona për festat e fundvitit në punën e kartolinave, punëtoria e kartolinave është aktive gjatë tërë vitit, por në data dhe muaj të caktuar kemi punë më intensive. Në punëtorinë e kartolinave i kemi të caktuar të vijnë anëtarët mbi moshën 16-vjeçare, anëtarët po e pëlqejnë shumë punën me kartolina, iu duket shumë atraktive dhe kënaqen përderisa i punojnë ato, mirëpo kemi edhe vullnetarë që na bashkëngjiten në kohë festash dhe na ndihmojnë sa më shumë të punojmë kartolina”, deklaron ajo.
Stanovci tregon se për çdo vit anëtarët përkujdesen që të nxjerrin kartolina nga më të ndryshmet e madje e sfidojnë veten të jenë edhe më kreativë se vitin e kaluar.
Pamja e bukur që po u japin kartolinave anëtarët e organizatës iu kanë rënë në sy edhe institucioneve më të larta të vendit. Ministri e gjykata veçse kanë bërë porositë e tyre.
“Anëtarët çdo vit mundohen ta përditësojnë katalogun e kartolinave, këtë vit kemi përfshirë dizajne në kartolina të reja, e të gjitha kartolinat munden me i pa secili në faqen tonë zyrtare dhe mund të bëjnë porosi. Fokusi më i madh është në kohë festash, si 7-8 marsi, në fundvit, por kartolinave tona iu shtohet vlera kur dihet se me shitjen e tyre gjenerohen të ardhura për shoqatën, në fundvit shtohet tejet shumë interesimi, madje porositë e para kanë filluar nga disa ministri, nga gjykatat dhe presim edhe nga të tjerët. Janë institucionet e bizneset e ndryshme që bëjnë porosi, por ne duam të zgjerohemi dhe u bëj thirrje të gjithëve të blejnë nga një kartolinë kur dihet se po ofrohet një kontribut sado i vogël për organizatën”, thekson Stanovci.
Në mënyrë që të punohen sa më shumë kartolina, punëtorisë në organizatë i janë bashkëngjitur edhe vullnetarë të tjerë.
“Për momentin shitja bëhet vetëm në faqen tonë dhe në punëtori, dikush që shpreh dëshirën të vijë e t’i shohë anëtarët se si po punojnë, mund të vijë të na vizitojë në punëtori dhe ndoshta edhe të na ndihmojë. Aktualisht ka vullnetarë që kanë shprehur dëshirën të vijnë dhe të angazhohen në punëtorinë e kartolinave, shpesh na ndihmojnë edhe prindërit, anëtarët, stafi dhe të gjithë bashkërisht po mundohemi sa më shumë të punojmë kartolina dhe me qenë sa më kreative”, tregon Stanovci.
Kartolinat me ngjyra festive këtë vit kanë çmimin prej 2.5 eurosh, e Stanovci thotë se me blerjen e tyre njëkohësisht kontribuohet në qëndrueshmërinë e shërbimeve të organizatës.
“Kushdo që po i sheh sa të bukura janë nuk po e diskuton çmimin, ato janë të ndryshme, kartolinat e fundvitit janë me çmim 2.5 euro, por ka edhe kartolina të tjera me çmime më të lira”, thotë ajo.
Kartolinat punëdore janë veprimtaria më e hershme e Shoqatës, ku nën mbikëqyrjen e punonjësve sociale, bëhet përfshirja e personave me Sindromën Down dhe përveç punësimit, ka një rol të rëndësishëm në fuqizimin e aspekteve të socializimit dhe krijimtarisë tek personat me Sindromën Down.
Kartolinat mund t’i porositni online në faqen zyrtare të “Down Syndrome Kosova” ose edhe në qendrat e shpërndara të organizatës nëpër komunat e ndryshme të vendit.