SOT

Punëdore e veçantë në lëkurë

Përpos që mbajnë emër të njëjtë, Veton Jusufin e Veton Dylën bashkë i bënë edhe profesioni që ata ushtrojnë.

Brenda hapësirave të punishtes së tyre të vogël, ata u japin jetë e ngjyra materialeve nga lëkura.

Përzierja e artit me zanatin e vjetër të gdhendjes e qëndisjes, ka bërë që ndër vite të dy t’u ofrojnë klientëve mundësi të llojllojshme zgjedhjesh nga materiali i pastër.

Duke nisur nga kuletat e vogla, çantat e dorës, çanta të shpinës e deri te rripat, Veton Jusufi të gjitha i punon vetëm me dorë, pa asnjë makineri.

Veprimtaria që ai ushtron ka pësuar ndryshime ndër vite dhe rrjedhimisht ka rënë edhe interesi për këtë lloj zanati. Por, Jusufi thotë se kjo nuk e pengon aspak që çdo ditë të punojë me shumë përkushtim.

Ndonëse këtë punë e kryen prej më shumë se 35 vjetësh, dashuria e durimi thotë se e shoqërojnë edhe më tutje, si dy tiparet kryesore që duhet t’i ketë një zanatli.

Qoftë rrip apo kuletë, puna me lëkurë i merr atij kohë afro 1 javë për ta përfunduar. Kjo për shkak se çdo porosi karakterizohet me shumë detaje që duhen punuar me shumë kujdes, duke nisur nga qepja me dy gjilpëra e deri te lyerja me dyll që ia jep shkëlqimin e nevojshëm.

Një detaj që i dallon këta dy artizanë nga të tjerët, është gravura që aplikojnë në disa prej materialeve të punuara.

Krejt këtë punë e kryen Veton Dyla, i cili thotë se me këtë zanat ka nisur që i vogël.

Nga “Pema e jetës’’ e deri të lulja “Magnolia’’ Dyla thotë se u kushton shumë rëndësi këtyre detajeve.

Sipas tij, klienti nuk merr vetëm një material lëkure të punuar me dorë, por edhe një vepër që bart vlera njerëzore e kuptimplota.

Në dyqanin e Veton Jusufit e Dylës ruhen me shumë pasion e krenari edhe mjetet e para të punës që secila është më e vjetër se tjetra.

Të gjitha këto si simbol i dashurisë, përkushtimit dhe profesionit që i bashkon të dy në gdhendjen e lëkurës me dorë.