Me rritjen e çmimeve të secilit produkt kudo në botë, nevoja për punimin e tokave tani është shumë më e madhe. Por shumica e bujqve këtë e kishin pasur të vështirë nganjëherë për shkak mosqasjes së lehtë për në arat e tyre.
Mirëpo projekti 1 milion euro në Ferizaj, tashmë ka filluar të lehtësojë punën e bujqve. Për bujkun Nehat Uka, rregullimi i rrugëve drejt arave e ka shtuar intensitetin e punës edhe në parcelën e tij e cila ka hapësirë prej 60 ari.
Ngjashëm është edhe për bujkun Labinot Rekaj, ai tregon se vite më parë i ishte dashur qasja në rrugë kryesore për të arritur në arën e tij, e që kjo kishte qenë problematike për të, por edhe vozitësit e tjerë.
Sipas drejtorit të Bujqësisë dhe Pylltarisë në Ferizaj, Burim Bajrami, ky projekt ka qenë më se i nevojshëm për fermerët dhe se gjitha këto rrugë priten të përfundojnë brenda 3 viteve.
Tashmë një vit veçse ka kaluar nga fillimi i projektit dhe shumica e rrugëve janë drejt finalizimit, porse edhe bujqit e fshatrave të tjera mezi presin të kenë rrugët e shtruara drejt arave të tyre.
Gjatë tërë vitit, është bërë thirrje që të gjithë fermerët që posedojnë toka bujqësore të fokusohen në kultivimin e kulturave të ndryshme bujqësore në mënyrë që edhe përdorimi i tyre të jetë nga produktet vendore dhe vendi të mos ketë krizë në mungesën e tyre.