SOT

Profili për instalim të ujësjellësit e ngrohjes, më i kërkuari në shkollat profesionale

Tregu i punës se fundmi po i tërheq nxënësit që të orientohen më shumë në shkollat profesionale. Por cilat drejtime janë me numër më të madh të nxënësve në shkollën profesionale “Shtjefën Gjeçovi”.

Në këtë vit shkollor gjithsej 384 nxënës janë pranuar në këtë shkollë.

Mbi 70 nxënës e kanë përzgjedhur profilin për instalimin e ujësjellësit, ngrohjes dhe klimatizimit.

Sipas drejtorit të kësaj shkolle, Blerim Gërvalla, ky profil prin për nga numri i nxënësve në këtë shkollë, krahasuar nga vitet paraprake.

“Këtë vit shkollor janë planifikuar të regjistrohen 16 paralele me gjithsej 384 nxënës. Ky numër në shumicën absolute është plotësuar me afatin e qershorit. Pothuajse të gjitha paralelet janë plotësuar me përjashtime të 2-3 drejtime të cilat i kem plotësuar me afatin e gushtit. Interesimi edhe në këtë vit shkollor ka qenë mjaftë i lartë, krahasuar me shkollat e tjera profesionale në vend. Ketë interesim e ka bërë shkalla e lartë e punësimit, hapja e bizneseve private, pra ky është motivi kryesor që po i shtyn nxënësit që të regjistrohen në shkollën tonë”, ka theksuar Gërvalla.

Ai ka thënë se këtë vit shkollor interesim më të madh ka qenë në profilin e instaluesve të ujësjellësit, ngrohjes dhe klimatizimit. “Po ashtu interesim të madh kanë pasur edhe drejtimet sikurse profili I floktarisë, automekanikut, metrakonikes si dhe drejtimet e tekstilit. Si risi në shkollën tonë është profili i estetikes. Vlen të theksohet se numri i vajzave është në rritje”, ka treguar ai.

Nxënësit e klasave të 10-ta thonë se ishte tregu i punës, pse e zgjodhën degën për instalimin e ujësjellësit, ngrohjes dhe klimatizimit.

“E kam zgjeshur këtë profesion sepse të ardhmen e kam menduar që me ketë profesion të punoj në Kosovë apo jashtë shtetit. Unë këtë profesion e kam zgjedh sepse e ka një të ardhme të sigurt, ju bëjë thirrje të gjithëve të rinjve që të regjistrohen në shkollat profesionale”, ka deklaruar nxënësi Riad Bllacaku.

Nxënësi tjetër Jetlir Isufaj, ka thënë se këtë profesion e ka zgjedhur për shkak se ndjen që ka një të ardhme në Kosovë dhe Evropë.

“Ju them që të zgjedhin këtë drejtim sepse e ardhmja është më e mirë sa i përket anës financiare dhe gjithçka tjetër. Profesionin e kam të trashëguar nga babai dhe vëllai dhe dua ta vazhdoj edhe unë”, ka treguar ai.

E nxënësi Etnik Gashi, ka thënë se gjithmonë i ka pëlqyer ky profesion.

“Më ka pëlqyer ky profesion shumë dhe prandaj edhe e kam zgjedh këtë profesion. Në të ardhmen dua të bëhem inxhinier. Këto 3 vjet shkollës mesme besoj që do të më ndihmojnë shumë për fakultet”.

Në shkollën “Shtjefën Gjeçovi” këtë vit është shtuar “Estetika” si drejtim i ri, i cili është më tërheqës për gjininë femërore. Gjithsej në këtë shkollë janë 17 paralele.