SOT

Profesori i Kërlingut, sport i veçantë

Me origjinë nga Skocia dhe i përvetësuar nga Kanada, Suedia, Kina e Amerika, kërlingu është sport që ka nisur të luhet edhe në Kosovë.

Nismën për lojën e kërlingut e ka marrë profesori Hivzi Metaj, i cili vetëm 3 vjet më parë është njoftuar me këtë sport.

Ai tregon se si erdhi deri te kontakti me sportin dhe iniciativën e tij për t’ua mësuar nxënësve të tij këtë lojë.

Duke nisur nga tapeti që kërkohet për lojë e deri te gurët që nevojiten për të nisur lojën, Metaj tregon se gjithçka ka qenë risi për të.

Meqenëse për këtë sport olimpik ka pak të dhëna, profesori i Kulturës Fizike dhe Sportit ka grumbulluar informacione dhe gjithçka tjetër për kërlingun në një manual që e ka botuar vetë.

Thotë se me të ua ka lehtësuar nxënësve mësimnxënien për rregullat dhe teknikat bazike të sportit.

Nga hedhja e shortit, mënyra e referimit, numërimi i pikëve e fituesi, Metaj thotë se ky sport dimëror dallon nga çdo sport tjetër.

Sidomos edhe për inteligjencën dhe bashkëpunimin që lojtarët duhet ta kenë mes vete.

Se ky sport është i veçantë dhe shumë atraktiv për t’u luajtur e thonë edhe nxënësit e shkollës fillore ‘’Xhavit Ahmeti’’.

Shumë prej tyre aktivitetin e kanë nisur vetëm para pak muajsh, porse shpresojnë se në të ardhmen do të përfaqësojnë Kosovën në lojëra olimpike.

Kujdes kryesor në këtë sport duhet kushtuar hedhjes së gurëve prej graniti që të përfundojnë sa më shumë prej tyre në qendër për një ekip.

Kategoria e femrave, meshkujve, dysheve të përziera për ekipe, dysheve për femra dhe dysheve për meshkuj janë disiplinat kryesore të këtij sporti.