SOT

Produktet e ferizajasit kërkohen edhe nga vendet e huaja

Është 27-vjeçar, por i pasionuar pas punës në toka e bujqësi.

Korab Hoxha nga Fshati i Vjetër në Ferizaj që i vogël i ka rastisur t’i ndihmojë familjes së tij në mbjelljen e tokave me kultura të shumta bujqësore, gjë që ishte shtysë kryesore që ai më pas të merrte drejtimin për studime pikërisht në këtë fushë.

Tashmë ai është agroekonomist, e dëshira e tij të merret me këtë profesion është lehtë e dallueshme.

Pas një pune të madhe investuese për 15 vjet me radhë nga familja Hoxha, tashmë u arrit edhe zgjerimi i hapësirave për zhvillimin e mëtutjeshëm të këtij aktiviteti.

E pothuajse të gjitha pajisjet që e bëjnë procesin më të lehtë i takojnë teknologjisë më të fundit.

Familja Hoxha tashmë ka arritur të ketë afro 1 hektar sera, e ndërkaq 5 hektarë të tjerë i shfrytëzon për mbjelljen e dredhëzave.

Pos perimeve e frutave të ndryshme, në sezonin e pranverës serat e tyre janë të mbushura me larushi të jashtëzakonshme lulesh.