Një nga krojet më të njohura që ka Prevalla, prej vitesh mbledh vizitorë të shumtë nga të gjitha anët e Kosovës.
Riza Mustafa është një nga ata që nuk e ka lënë asnjëherë pas dore këtë vend. Edhe pse në të ‘80-at, çdo muaj ai e viziton Prevallën për të mbushur plot 45 bidonë me ujë të freskët nga ky burim.
Rruga nga Lipjani deri këtu nuk paraqet asnjë vështirësi për të. Shpeshherë ai shoqërohet nga vëllai i tij, Muharrem Mustafa, i cili gjithashtu furnizohet me ujë në këtë vend të bukur natyror.
Prej rreth pesë vjetësh, Riza Mustafa përdor ujin e Prevallës kryesisht për pije dhe gatim. Ai apelon te qytetarët që të kenë kujdes me mjedisin dhe të mos hedhin mbeturina në natyrë.
“Unë vij rregullisht këtu. Për një muaj e gjysmë marr 45 bidonë, nga një bidon në ditë. Kur të vijmë këtu jemi të interesuar të mos e ndotim ambientin. Nganjëherë ka njerëz shumë duhet me pritë deri në 2 orë e më shumë, sot për fat s’kemi pritur hiç. Përdorim vetëm për pije, për çaj, për zierje – ujin e qytetit e lëmë për pastrim. Ndryshon shumë nga uji i Lipjanit. Atje bojleri dhe enët mbushen shpejt me gëlqere, kurse ky ujë është i pastër dhe çajin ta bën shumë të mirë. Edhe nga uji që blihet dallon shumë”, thotë Mustafa.
Edhe Idriz Lekiqi, nga fshati Gadime i Lipjanit, ka tashmë 15 vjet që çdo muaj merr rrugën për në Prevallë vetëm për të marrë ujë nga ky kroi i njohur. Këtë e bënë bashkë me të gjithë familjen.
“Vijmë rregullisht, çdo muaj i marrim nga 30 bidonë me ujë. Është i mirë për pije, për çaj. Kemi edhe bunarët në shtëpi, por nuk janë të pijshëm si ky ujë. Është ujë i mirë, i freskët. Prej shokëve kemi dëgjuar dhe që prej 15 vjetësh vijmë këtu me marrë ujë. Në dimër pak më vështirë, por vijmë prapë. Jemi mësuar me këtë ujë, kur mbesim pa të blejmë, por nuk është aspak si uji i Prevallës. Vendi është i mirë edhe me vizituar, edhe me marrë ujë. Duhet edhe me ruajtur ambientin”, deklaron Lekiqi.
Kohëve të fundit përreth këtij kroi tashmë të njohur janë bërë disa investime që e kanë bërë më të rregulluar nga ana infrastrukturore. Megjithatë, pamja e bukur shpesh prishet nga mbeturinat që persona të pandërgjegjshëm hedhin në rrjedhën e ujit dhe zonat përreth. Kjo mbetet një thirrje e hapur për më shumë kujdes ndaj natyrës dhe trashëgimisë sonë të përbashkët.