Helmetat i vendosën e edhe biçikletat u bënë gati.
Dy kolegët, Valon Braha e Alban Uka, nga njësia e çiklistëve po nisen si zakonisht për patrullimin rrugor.
Rrugën e terrenit e bëjnë më ndryshe nga kolegët e tjerë.
Biçikleta është mjeti i tyre me të cilën i kryejnë operimet dhe bëjnë mbikëqyrjen në komunikacion.
Braha rrëfen se njësoj si sot e fillon edhe çdo ditë tjetër të punës.
Ora 7 e mëngjesit i gjen ata në rrugët e Prishtinës, duke mbajtur rendin rrugor.
E këto dy biçikleta nuk janë të vetmet në stacionin policor.
Braha tregon se ka edhe të tjerë zyrtarë që patrullimet i bëjnë në mënyrë të tillë.
Meqenëse udhëtimi është më ndryshe, edhe eksperienca është më e bukur sipas policëve.
Ushtrimi i detyrës me mjetet me dy rrota ndonëse ka vështirësi, të mirat janë më të shumta e edhe ato probleme që shfaqen tejkalohen me bashkëpunim kolegial.
E kur jemi te kolegët, Alban Uka po ashtu e përjeton të njëjtën eksperiencë.
Ndonëse është më relaksuese, sipas Ukës, puna është gjithmonë ajo primarja.
Kontrolli i dokumentacionit e ndalimi në raste të shkeljes së rregullave janë arsye të ndaljes së veturave.
E meqë edhe bashkatdhetarët kanë filluar të vijnë në Kosovë, sipas Ukës, me ardhjen e tyre shtohet edhe puna, sepse fluksi i qarkullimit është më i madh.
Gjoba për kundërvajtje nuk po shpërndahen vetëm për vozitësit.
Edhe qytetarët që nuk i respektojnë rregullat në komunikacion e marrin dënimin e merituar.
E edhe pse sfidat janë të mëdha, sipas Ukës, të qenët polic i ushqen ndjenjën e krenarisë pavarësisht sakrificave.