Pasioni për poezinë i ka hapur shumë rrugë drejt së ardhmes Mihane Beqirit që me punën e saj po merr lëvdata e njohje prej shumë vendeve të botës.
Ajo është vetëm 21 vjeç dhe është ambasadorja më e re për paqe e Kosovës.
Përmes poezisë së saj, ajo flet për tema e kauza të ndjeshme në shoqërinë kosovare me qëllim gjetjen e një paqeje mes klasave shoqërore në vend.
Derisa përmes aktiviteteve të saj dhe projekteve ku merr pjesë insiston në njohjen e Kosovës nga organizata që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
“Lufta’’ e saj përmes poezisë u shpërblye nga Federata Universale e Paqes prej së cilës edhe mori çmimin ambasadore për paqe, si kosovarja e parë me këtë çmim.
Këtë çmim ajo e sheh si dëshminë më të mirë që rinia e populli kosovar meriton lëvizjen e lirë për atë se çka ata kanë për t'i ofruar Evropës e botës sipas saj.
Përpos rëndësisë që u kushton kauzave shoqërore poetja nga Mitrovica shquhet edhe për aftësinë e saj që të përvetësojë gjuhët e huaja
Nga frëngjishtja në kinezisht, Beqiri flet rrjedhshëm 7 gjuhë të huaja që i ka mësuar në mënyrë autodidakte.
Në të ardhmen ajo synon që t’i futet skenës politike ku thekson se kontributi i saj mund të jetë akoma më i madh në avokimin për të drejtat universale të njeriut.