SOT

“Plaku i Tik-tokut” me qindra-mijëra shikime

Shefqet Mullaliu është shumë i famshëm në TikTok. Ai ka arritur qindra-mijëra shikime në videot që i publikon në këtë rrjet social. Imitime, këndime e shaka janë disa prej përmbajtjeve e videove të Mullaliut. Ai tha të hënën në emisionin “SOT” në KTV, se ideja i erdhi rastësisht e inspirimin e gjen kudo.

Ka marrë edhe nofkën “Plaku i Tik-Tokut”.

“Krejt rastësisht e zbulova, duke e shikuar TikTokun, ma regjistruan djemtë. E bëra një këngë, mori shumë klikime. Tash kam kohë të bëjë kësi gjëra. Jetoj në Gjermani me bashkëshorten dhe po gjej inspirim. Videot janë në mënyrë pozitive me porosi për njerëzit dhe rininë që pëlqejnë”, deklaroi ai.

I moshuari rrëfeu se shumica dërrmuese e komenteve në videot e tij janë pozitive, e kjo sipas tij, e ka nxitur të publikojë edhe më shumë video.

“Më shumë mua më pëlqejnë komentet. 99 për qind janë pozitive. Kur e publikoj një klip, klikimet shkojnë pa ndërprerë. Videot ku po këndoj po marrin mbi 300 mijë shikime. TikTokun nuk e shfletoj shpesh, e përdori, më pëlqejnë disa gjëra, është i të gjithëve”, tha ai.

Mullaliu theksoi se TikToku është i mirë nëse përdoret siç duhet, derisa shtoi se në të po sheh edhe materiale negative.

E dëshira për TikTok nuk është e vetmja. Mullaliu rrëfeu se para 40 vjetësh kishte xhiruar një film në Rahovec, në rolin e mjeshtrit të arteve marciale, Bruce Lee. Ai tha se filmi nuk u publikua kurrë për shkak të rrethanave.

“Janë 40 vite qëkur është xhiruar filmi i Bruce Lee-s. Më ka lindur ideja ta blija një kamerë dhe ta bëja ndonjë film. Dëshira e flaktë s’më linte të qetë, bleva një kamerë dhe me vëllezër kemi tentuar ta bëjmë një film. E kemi bërë një film, por s’e kemi publikuar sepse pas kohës situatat janë përkeqësuar. Filmi kishte edhe shumë punë”, shtoi ai.