SOT

Piperi i kuq vendor më i shituri mes erëzave në Kosovë

Mbante dorën e babait derisa si i vogël sillnin nga Llapi në Prishtinë piperin e kuq.

Tash edhe ai ka 30 vjet që në tregun e gjelbër njihet për erëzat që mban në shtand.

Është ky Idriz Hajdari, që më së shumti e shet piperin e kuq.

Ai ofron tri lloje të kësaj erëze të shumëkërkuar në Kosovë: piper të kuq, djegës dhe piper me fara.

“Nga të gjitha erëzat piperi shitet më shumë”, thotë Hajdari.

Jo vetëm që e shesin, por familja Hajdari njihet edhe për përpunim të piperit e vegetës.

Edhe konsumatorët e rregullt të tregut të gjelbër thonë se përveç për pemë e perime, këtu vijnë edhe për erëza.

Në menytë e kosovarëve piperi është pjesë e shumicës së recetave familjare.

Tregtari thotë se myshterinjtë i pret që nga mëngjesi i hershëm.

“Puna nis qysh nga ora 6 e mëngjesit, nisi me i vendos gjerat në vendin e tyre për shitje. Pastaj pres konsumator që vijnë me ble, nganjëherë ka punë, nganjëherë jo. Gjenerata e vjetër nuk mund të dalin në treg, ndërsa gjenerata e re më pak dalin në treg, punë ka nga pak sa për një biznes individual, si i vetëpunësuar nuk është keq”, tregon Hajdari.

Përveç piperit, kohëve të fundit ka kërkesë edhe për fruta arrore për shkak të dobive shëndetësore.

“Nga erëzat e tjera kem rrush të terur, badem, lajthia, kikiriku, misër, kupa, kadaif etj”, thotë Hajdari.

E pasur me vitamina A dhe C, piperi i kuq ka edhe veti të tjera pozitive në shëndet. Megjithatë përdorimi i tij preferohet të jetë me masë.