Salla numër 80 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë është vendi që mbledh fëmijët e Prishtinës për një aktivitet goxha interesant e sfidues.
Të gjithë këta fëmijë janë pjesë e klubit të pingpongut ‘’PriPing Prishtina’’, që sivjet garat do t’i zhvillojë në Superligën e Kosovës për këtë sport.
Ky ekip i krijuar vetëm një vit më parë, në radhët e veta ka lojtarë të grupmoshave të ndryshme që janë lidhur ngushtë me sportin që luhet në tavolinë.
Ari Bajrami është njëri prej pingpongistëve më të rinj në këtë klub, me një teknikë të veçantë e një të djathtë me shumë potencial ai ka synime të mëdha për të ardhmen.
Derisa Bajrami është në fillimet e tija si lojtar i këtij sporti, një tjetër lojtare po aq e dashuruar pas reketëve, topit e tavolinës është edhe Anila Shala.
Shala 17 vjeçe thotë se këtë sport e ka nisur vetëm si pasion, meqenëse si natyrë është tip garues e sportiv.
Fleksibilitetin e trupit dhe shkathtësinë e trurit për të përpunuar mendimet ajo thotë t’i ketë perfeksionuar nga ky sport.
I kënaqur me interesimin e madh nga të rinjtë e këtij klubi është edhe dy herë kampioni i Kosovës në kategoritë ‘’Kadet’’ e ‘’Junior’’, Petrit Dragidella.
Si lojtar që ka bërë karrierë në grupmoshat e reja të këtij sporti Dragidella flet për rëndësinë që ka pingpongu në shëndetin e njeriut.
Derisa thotë se dëshira për sportin i nisi nga tavolina e bukës dhe loja me babanë e tij në kohë të lirë.
Për një të ri që dëshiron të nisë këtë sport, Dragidella thotë se duhet kohë për t’i mësuar me përpikëri lëvizjet e trupit dhe ritmin e nevojshëm për lojë.
Rëndësia e krejt këtij sporti qëndron tek fokusimi, lëvizja e duarve dhe pesha e këmbëve që kalon nëpër trup.
Drejtori i klubit prishtinas Kastriot Orana thotë se janë duke synuar që të nxisin sa më shumë të rinjtë të merren me këtë sport, që nuk është edhe shumë i njohur në vend.
E për këtë arsye, ‘’PriPing’’ në fund të muajit shkurt do të organizojë edhe një turne për të shtuar interesimin ndaj kësaj loje.
Orana tutje shtoi se qëllimi i klubit është që të jetë në nivel me ekipet e tjera jashtë Kosovës, për çka thotë se ekzistojnë talenti dhe kushtet.
Klubi ‘’PriPing’’ pretendon që të sjellë edhe ndryshime brenda klubit ashtu që puna, talenti e përkushtimi i të rinjve kosovar të kanalizohen drejt rrugëve të suksesit.