Storia në vazhdim na sjellë aktivitetet që janë mbajtur gjatë javës së policisë e cila është mbajtur javën e kaluar në Ferizaj. E gjithë java ka qenë e mbushur me aktivitete të shumta, e që të rinjtë ferizajas kanë shprehur dëshirën që një ditë të bëhen policë dhe të jenë në shërbim të vendit.
Javën që lamë pas ishte përvjetori i themelimit të Policisë së Kosovë. Shumë aktivitete u zhvilluan po atë ditë. Policia rajonale në Ferizaj atë ditë e nisën me aktivitete duke vazhduar deri në fundjavë.
Policia bashkë me Kuvendin e të rinjve gjatë tërë javës ishin bashkë, e të enjten ishte momenti i kafesë i të rinjve me pjesëtarët e policisë.
“Ky projekt ka rrjedhur nga ideja që Komuna e Ferizajt dhe Drejtoria e Rinisë e organizojmë çdo vit javën e KFOR-it, për t’i falënderuar. Na ka ardhur ideja tash si Kuvend i të rinjve ta falënderojmë edhe Policinë e Kosovës”, ka thënë Lorik Krasniqi.
Sipas Lorikut, të rinjtë kanë nevojë për bashkëpunim më të thellë e miqësor me policinë, e këtë e ndjen gjatë kafesë së përbashkët.
Ajo që të rinjve u interesoi më shumë ishte ndihma që policia mund t’u ofrojë atyre në momente të ndryshme.
Pas kafesë ata bashkë me policët çiklistë e të tjerët do të ofrojnë një xhiro me biçikletë rreth e përçark Ferizajt.
I riu thotë se nuk ndjen që ka siguri të plotë në qytetin e tij, e sidomos në objektet e shkollave.
Ndërsa, zëdhënësi i policisë rajonale në Ferizaj, Kanun Veseli, thotë se kjo javë ka qenë ndryshe për të dhe shumë atraktive gjatë gjithë kohës sa kanë qenë bashkë me të rinjtë ferizajas.
Ai thotë se java e policisë kësi lloji për herë të parë po mbahet në Kosovë.
Veseli tha se shumë të rinj shprehën dëshirën që e ardhmja t’i bëjë policë.
Java e policisë nisi të martën e 6 shtatorit, e cila vazhdoi me aktivitete deri të premten e 9 shtatorit.