Përveç natyrës së pasur, fshati Herticë i Komunës së Podujevës ka edhe kullosa të gjëra prej shumë hektarësh.
Megjithatë, kohëve të fundit këto pasuri natyrore po shfrytëzohen gjithnjë e më pak.
Dikur pjesa dërrmuese e familjeve merreshin me bujqësi dhe blegtori. Sot janë të paktë ata që vazhdojnë me punët e fshatit.
Një nga ta është Bahri Pollomi – një blegtor i palodhur që kujdeset çdo ditë, nga mëngjesi në mbrëmje, për rreth 30 krerë lopësh. Ushqimin për bagëtinë Bahriu e siguron nga të mbjellat në tokën e tij
“Për momentin i kam 18 lopë të mëdha, kam edhe ‘vjeta’, ‘bika’ e ‘mshtjerra’. Gjithsej i kam afro 30 krerë. Qumështin e shesim, por edhe e bëjmë bylmet sikurse mazë e djathë. Kilogramin e djathit e shesim 3 euro, mazën 2.50 euro ndërsa 2 litra qumësht i shesim 2.50 euro. Lloji i lopëve që kam janë ‘simentallka’, kam lopë që marr deri në 20 litra qumësht. Janë të mira dhe i përshtatet vendit”, thotë ai.
Dita e tij nis herët.
“Në orën 7 të mëngjesit zgjohem, së pari pijmë kafe e pastaj vijmë direkt te lopët. Së pari e pastrojmë vendin ku kanë qëndruar lopët, u qesim ushqim dhe fillojmë me mjeljen. Tri herë u qesim ushqim dhe dy herë i mjelim lopët, pra mëngjes dhe në mbrëmje. 19:00 ora të mbrëmjes përfundon puna me bagëtitë. Ndodh edhe gjatë natën të kem punë me to, e sidomos kur janë duke u shtuar. Zakonisht vetëm 3 muaj të dimrit i mbajmë të mbyllura bagëtitë. E muajt e tjerë i lëshojmë në kullosa. 3 mijë ‘dujë’ ua sigurojmë së paku me ushqim, plus drithërat. Verës harxhojmë më pak, sepse ushqehen në natyrë. I kam të mbjella 5 hektarë me grurë, 2 hektarë misër dhe rreth 2 hektarë e mbjellim me tërshërë. Si dhe 10 hektarë livadhe me qira i marrim për kullosa”, thekson Pollomi.
Megjithëse merr subvencione prej 90 eurosh për kokë bagëtie, ai thotë se nuk ka përfituar asnjë ndihmë tjetër nga Ministria e Bujqësisë.
“Kujdesin e bagëtive e kam trashëguar nga babi, atëherë kem pasur më pak se sot që kam. Nuk ka qenë asnjëherë më mirë sesa është tash. Unë vetë kam shitur qumësht me 0.19 cent ndërsa sot më së liri e shes pa dalë nga shtëpia 0.50 cent. E mirë e kësaj është se marrim edhe subvencione nga shteti për litër të qumështit, tokë bujqësore si dhe për krerë me bagëti. Vitet paraprake është dashur me dhënë shpërblim që mban bagëti, përpara rojtari i pyllit na numërojke bagëtitë dhe sikur tash që i marrim për një lopë 90 euro, atëherë u dashke me i dhënë atij, pse po i shfrytëzojmë kullosat e shtetit. 33 shtëpi kem qenë nga familja Pollomi që jemi marrë me bagëti. Çdo shtëpi ka mbajtë dele, buallica, lopë etj., ndërsa sot 2-3 fermerë kemi mbetë që merremi me bujqësi e blegtori. Sot ia vlen m’u marr me bagëti e bujqësi se kurdoherë, sepse të ndihmon edhe shteti. Mjetet për bujqësi shumicën i kam, një kombaj më mungon, por edhe atë do ta bëj. Stallë për lopë nuk kam kërkuar asnjëherë nga shteti, i kam bërë të gjitha vetë”, deklaron Pollomi.
Për blegtorin kjo punë është më shumë se thjesht burim të ardhurash, është pasion dhe mënyrë jetese.
“Edhe të më ofrohej një punë e shtetit nuk e kisha pranuar, jam mësuar me bagëtitë, i dua për së tepërmi. E dua vendin dhe me pasion kujdesem për bagëtitë e mia. Janë fitimprurës, por edhe nëse nuk kishin qenë fitimprurëse, i kisha mbajt”, thotë Pollomi.
Familja Pollomi, me 10 anëtarë, vazhdon t’i ketë prioritet fshatin dhe jetesën që ai ofron.