SOT

Pensionisti nga Janjeva, sozia e Ismail Qemalit

Duke ecur në sheshet e Prishtinës, Avni Bikliqi, një 76-vjeçar nga Janjeva, bie në sy për ngjashmërinë fizike me figurën historike të Ismail Qemalit.

Shumica e komenteve që merr ai, e kanë inspiruar për të thënë se, nëse do t’i ofrohej ndonjë rol si ai i Ismail Qemalit, apo edhe role të tjera artistike, do ta pranonte me shumë kënaqësi.

Për dekada me radhë, Bikliqi ka shërbyer – jo në skenë, por si gardian i burgut dhe vozitës i figurave politike vendore.

“Shpesh, kur ec, njerëzit ndalojnë dhe më thonë se i përngjaj shumë Ismail Qemalit. U them se kam kapelë, por jo si ai, dhe nuk e kam idenë e tij. Por, kur më thonë se dukem si Ismail Qemali, unë mburrem dhe shpesh harroj veten, duke menduar se jam Ismail Qemali”, ka deklaruar ai.

“Unë nuk jam artist, kam pasur një profesion tjetër, por kam pasur lidhje me kinematografinë. Kam marrë pjesë në filma për fëmijë në Shtëpinë Edukative të Lipjanit dhe në drama me të rinjtë dhe vajzat e burgosura. Përmes këtyre aktiviteteve, kam aktivizuar të rinjtë dhe vajzat e burgosura. Nëse më ofrohet mundësia për një rol si Ismail Qemali, do ta pranoja me shumë qejf”, u shpreh ai.

Avni Bikliqi, gjatë vizitave jashtë vendit, shpesh është pyetur për nacionalitetin e tij dhe ka vënë re se shumëkush nuk e besonte që ai vjen nga Kosova.

“Shpesh, nuk më kanë konsideruar si shqiptar nga Kosova, por më kanë pyetur nëse jam gjerman, italian apo ndonjë tjetër. Kur u thosha që jam shqiptar, ata habiteshin. Rininë e kam kaluar jashtë shtetit”, ka rrëfyer ai.

Çdo ditë, ai udhëton nga Janjeva në Prishtinë – jo për punë, por për të kaluar kohë me miqtë, duke biseduar dhe pirë kafe.

Avniu e pranon moshën me sportivitet dhe është mirënjohës për shëndetin që ende e gëzon.

“Një pensionist duhet të jetë i lumtur dhe të përgatitet për pension. Shoqëria dhe dinamika e jetës ndryshon kur kalon nga puna në pension. Një pensionist duhet të krijojë lidhje me pensionistët e tjerë, sepse është më e natyrshme. Unë kam një grup prej dhjetë personash dhe të gjithë jemi pensionistë. Disa thonë se pensioni është i vogël, por për ne, po del mjaft mirë. Çdo ditë udhëtoj nga Janjeva për në Prishtinë për të kaluar kohë me ta. Me moshën 76 vjeçare, nuk kam të njëjtin ekuilibër si më parë, por nuk e vë re shumë. Megjithatë, shoqëria më thotë se kam zvogëluar pak. Normalisht, mosha e sjell këtë. Nuk kam ankesa për shëndetin, kam pasur një sulm periferik, por falë kujdesit mjekësor, ai ka kaluar”, ka theksuar Bikliqi.

Pas humbjes së gruas, e cila vdiq shtatë vjet më parë, Bikliqi gjen forcë te katër fëmijët e tij.

Edhe pse ata janë shpërndarë në tri shtete, ai e gëzon çdo sukses të tyre.

“I kam tre djem e një vajzë. Dy djem jetojnë në Londër, më të voglin e kam në Francë dhe vajzën e kam profesorësh, ku jeton dhe punon në Amerikë. Të gjithë i kam të shkolluar dhe janë të pavarur nga unë. Kanë krijuar familje dhe uroj të kenë dhe shëndetin”, ka shtuar ai.

Avni Bikliqi është një figurë që na kujton të shkuarën, jeton në të tashmen, dhe frymëzon gjeneratat e reja.