Pas pensionimit, Driton Kosova qetësinë shpirtërore e gjen duke salduar orendi të ndryshme shtëpiake dhe dekorime. Fillimisht ai i dizajnon ato në një fletë e më pas fillon saldimin e pjesëve metalike. Tërë këtë punë e kryen në punëtorinë e tij të vogël “Studio Fe”, e cila gjendet në oborrin e shtëpisë së tij në Mitrovicë.
Muret e shtëpisë e pjesë të ndryshme në kopshtin e tij janë të rrethuara me figura të ndryshme dekoruese, të bëra kryesisht nga hekuri dhe druri. E ngjyrat e ndezura të tyre i japin gjallëri vendit.
E këtë zanat Kosova thotë se e ka filluar gjatë viteve ’90, në kohën kur regjimi serb i kishte larguar shqiptarët nga puna.
Edhe mjetet, të cilat i përdor për prerjen e hekurit i ka punuar vetë. Ky mjet po ia bën atij mjaft të lehtë krijimin e rrathëve.
Kohët e fundit ka filluar të punojë edhe me porosi. Më të kërkuarat janë karriget, tavolinat, dhe mjetet e skarës.
Ai ka prezantuar disa nga punimet e tij më të pëlqyera.
E përhapja e pandemisë nuk është se ka ndikuar negativisht tek Dritoni, ngase ai pjesën më të madhe të ditës e kalon në oborrin e tij duke krijuar art nga hekuri.