SOT

Pasioni për zdrukthëtarinë, art me lloje të ndryshme të drunjve

Pjesën më të madhe të ditës e kalon në punëtorinë me pak metra katrorë. Ndonëse zanat/profesion në zhdukje, Leonit Shaqiri e ka gjetur veten në të.
Për rioshin nga Gjilani, zdrukthëtaria kishte filluar si një hobi. E në këtë drejtim të jetës së tij, sipas Shaqirit, ka gisht edhe babai i tij, raporton KOHA.

Me një hapësirë të vogël punuese e disa mjete të vogla, në vitin 2017 vendosi të hapte biznesin e tij. Produktet e para i kishte krijuar për miq e familjarë, e me kalimin e kohës filloi të zgjerohej. Kështu, produktet e finalizuara vendosi t’i ekspozonte edhe në profilin e tij në Instagram. E me nostalgji “kthehet” 3 vjet pas për të na treguar mjetet me të cilat filloi punën.

Nga ahu, bungu, arra e shume lloje të tjera të drunjve, Leoniti arrin të ndërtojë produkte të ndryshme. Inspirimin për to e gjen në vende të ndryshme e shumë prej tyre i krijon edhe nga kërkesat e klientëve. Shaqirit i është reduktuar koha e punës me fitimin e disa mjeteve të reja dhe efikase nga organizata “Help Kosovo”.

Produkteve të postuara në Instagram, Leoniti ua ka vënë një çmim. Vlera e tyre varet nga madhësia dhe lloji i drurit të produktit.