Në ditë të mira, në ato të ftohta e ato më sfiduese janë pjesëtarët e Shoqatës së Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim, të cilët janë të gatshëm për çfarëdolloj situate të ofrojnë ndihmën e tyre të pakursyer.
Qëkur nisi sezoni i skijimit në Brezovicë, aty e gjeni Ardijan Grazhdën i cili qysh i vogël kishte mësuar sportin e skijimit. E pos talentit, dëshira e madhe për të shpëtuar jetë njerëzish ishte edhe një arsye tjetër që ai të bashkohej në ekipin e kërkim-shpëtimit.
“Në Brezovicë jam qysh si fëmijë kur edhe mësova skijimin, gjithë terrenin e njoh, kur ka ndodhur ndonjë rast që ka humbur dikush nga mjegulla apo ka pasur ndonjë problem. Ne si shoqëri që kemi njohur malin kemi dalë dhe e kemi kërkuar. Gjithnjë na kanë thirrur neve, sepse kemi qenë skitar qejfi, por edhe kemi shpëtuar njerëz. Ne jemi këtu derisa të shkrihet bora, qysh nga ora 9, kur fillon punën teleferiku, derisa të ndalet ne jemi këtu dhe jemi të fundit që ecim sapo të shohim malin që nuk ka njeri”, thekson Grazhda.
Ai thotë se meqenëse e njeh mirë zonën e Brezovicës dhe u bë pjesë e shoqatës, ndoqi edhe trajnime më të avancuara për kërkim dhe shpëtim.
“Meqenëse ndihmonim u bëra pjesë e shoqatës dhe tani shkoj me FSK-në në trajnime që mos të gaboj, kam bërë trajnime me pajisje për ndodhitë e ortekëve e tani është i 4-ti sezon që jam në këtë shoqatë. Për të shpëtuar një jetë nuk ka më mirë, nga dashuria për malin tani po ndihmojmë edhe njerëzit, e fatmirësisht kemi edhe kushte të mira”, deklaron ai.
Grazhda flet për rastin më të vështirë të përjetuar në Brezovicë, kur humbi shokun e tij.
“Më kujtohet shoku im Arian Daci, kemi skijuar qysh nga fëmijëria bashkë, atë ditë më ftoi me dal në skijim, ishte vikend, kur ndodhi rasti i tij kam qenë i pari për shpëtim, por ai nuk ia doli dot dhe vdiq nga orteku. Në atë kohë nuk kemi pasur as kushte të mira. Edhe një shok timin tjetër nga Ferizaj edhe atë e kujtoj që nuk mundi dot të shpëtonte, këto janë rastet më të dhimbshme për mua”, thotë ai.
E Roxhens Canie nga Pogradeci është një tjetër vullnetar i shoqatës. Thotë se kosovarët ia mësuan skijimin e tani falënderimin po e kthen duke shpëtuar jetë njerëzish në Brezovicë.
“Arsyeja pse zgjodha Brezovicën është sepse më pëlqen skijimi, më mësuan shqiptarët e Kosovës, ne jemi të mirë në not por jo në skijim. Tani jam pjesë e shoqatës, më pëlqen të jem human, kemi ndihmuar turistë dhe ata janë mirënjohës ndaj nesh”, thekson Canie.
Për 4 sezone si vullnetarë në shoqatë, Roxhensi tregon për rastin kur shpëtoi disa të huaj, madje vlerësimin për të ende e vazhdojnë dhe mbajnë kontakte.
“Rasti më interesant ka qenë më ushtarë të KFOR-it polak, nuk kanë qenë mirë dhe i kemi sjellë poshtë, unë e ndjeva që duhet intervenuar dhe të ndihmoj, ka qenë sfidë, por njëkohësisht edhe bukur kur më shkruajnë dhe më thonë se jam i mirëpritur dhe duan të më takojnë, më kanë thënë se e kam të hapur derën tek shtëpia e tyre”, deklaron ai.
Dushan Mirkoviq thotë se vazhdimisht është duke skijuar e nga afër mundohet të shohë secilin turist, kurdo që është e nevojshme i gatshëm të ndihmojë.
“Unë jam Dushani nga Shtërpca, punoj këtu qe 4 vjet, në shoqatë jam për të ndihmuar të tjerët, punoj gjithçka që nevojitet si për lëndime apo edhe nëse humb dikush. Gjithmonë jemi në shërbimin e turistëve dhe vizitorëve, zakonisht unë dal në teren dhe vëzhgoj vendin nëse dikush ka nevojë, atëherë menjëherë ne intervenojmë e nëse duhet e dërgojmë edhe në ambulancë”, thekson Mirkoviq.
Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim është e shpërndarë gjithandej vendit dhe kurdo që thërret nevoja mobilizimi menjëherë ndodh nga ana e tyre. Qëkur filloi punën shoqata, kohët e fundit çdo ditë e më shumë po shtohet dëshira e vullnetarëve të rinj që duan të bashkëngjitën e njëkohësisht edhe duke shtuar pajisjet të cilat bëjnë më të lehtë kërkimin dhe shpëtimin.