SOT

Parku i parë me materiale organike në Gërmi po u pëlqen qytetarëve

Një hapësirë e re rekreative i është shtuar kryeqytetit. 

Ky është këndi më i ri dhe i pari i ndërtuar tërësisht me materiale organike në Parkun e Gërmisë, i cili po tërheq vëmendjen e fëmijëve, prindërve, si dhe vizitorëve të tjerë.

Kjo hapësirë unike prej rreth 2 mijë metrash katrorë është ndërtuar krejtësisht me materiale ekologjike nga druri, duke krijuar një ambient të përshtatshëm për lojë e relaksim në harmoni me natyrën.

Pensionisti Muhamet Tahiri është një nga vizitorët e rregullt të këtij këndi. Ai vjen shpesh me mbesën e tij, Mian, dhe thotë se ky kënd i kujton hapësirat e ngjashme që ka parë në Gjermani.

“Mua shumë po më pëlqen kjo hapësirë, vajzës po i pëlqen po ashtu siç po e shihni vetëm po qesh, të njëjtat i kam pa edhe në Berlin të gjitha nga druri, natyrale dhe jo nga plastika e Kinës lodra që mund të dëmtojnë fëmijën. Ambientit i janë përshtatur shumë, dru gjithandej, shpresoj që të mos i djegin por t'i mirëmbajnë. Mbesën e kam në pushim dhe po e sjellim këtu se është një nga vendet që po e pëlqen shumë”, thotë ai.

E Mia, e cila është zhvendosur së fundmi nga Amerika për të jetuar në Prishtinë, duket se është përshtatur shpejt me jetën në kryeqytet dhe tashmë po shijon hapësirat e reja për fëmijë.

“Unë jetoj në lagjen Dardania, kam ardhur në Kosovë për të jetuar nga Amerika, më pëlqejnë lodrat këtu. Unë kam ardhur me gjyshin tim dhe po më pëlqen ky kënd”, thekson ajo.

Edhe pensionisti Shefki Zhitia është një frekuentues i rregullt i Gërmisë. Ai thotë se parqet si ky janë të vetmet hapësira të përshtatshme për pensionistë për t’u relaksuar dhe për të përfituar nga ajri i pastër.

“Për shkak ajrit të pastër vij këtu, sa më mirë me dal në natyrë më bën mirë edhe mua, më duket se jam i lirë kur vij në këtë hapësirë, por shumicën e kohës në Prishtinë nuk ka park tjetër pos Gërmisë e cila ka ajrin e pastër, është edhe parku i qytetit por nuk ka ajrin e njëjtë si këtu”, deklaron ai.

Zhitia shton se këndi i ri po i pëlqen shumë, por ngre shqetësimin se materiali i drurit mund të mos të jetë i përshtatshëm për të gjitha moshat dhe të vegjlit mund të lëndohen.

“Ky këndi ri po më pëlqen shumë por më duket se janë pak të vrazhda për fëmijët e vegjël, sepse nga druri mund të lëndohen, në vikend i kam parë disa fëmijë që donin të luanin por të vegjlit rrëzoheshin dhe mundësia për tu lënduar ishte më e madhe por sidoqoftë hapësira duket shumë e mirë dhe më duket se edhe fëmijët po e shijojnë bashkë me prindërit, shpresoj të shtohen edhe më shumë të tilla kënde dhe aktivitete sa më shumë për fëmijë”, shton ai.

Për disa qytetarë, Gërmia është më shumë sesa një park. Çifti Sekiraqa, që vjen nga Mazgiti, e shfrytëzojnë për kafe mëngjesi, por edhe për shëndetin.

“Për çdo ditë vij për t’u relaksuar, nga Mazgiti vijë më gruan time, na pëlqen natyra dhe kemi dobi shëndetësore, asgjë nuk mungon këtu. Mushkëritë e Prishtinës janë Gërmia, por kemi pak parqe të tilla, duhet edhe më shumë gjelbërim, doktori thotë sa më shumë me dal me ecë dhe ne atë po bëjmë, unë jam mirë por gruaja ka probleme me diabet dhe ecja në park po i ndihmon shumë”, deklaron Sali Sekiraqa.

Sipas tyre, vikendeve parku mbushet me fëmijë, dhe këndi i ri ua ka shtuar edhe më shumë mundësitë për argëtim.

“Këtu po kënaqen fëmijët dhe neve po na shtohet jeta kur po i shohim ata që po e shijojnë këndin e ri rekreativ, fatmirësisht po kanë ku të dalin të shetiten dhe të luajnë, madje janë të kujdesshëm edhe në mirëmbajtjen e parkut”, shton ai.

Këndi i ri rekreativ ka pak ditë që është përuruar në Gërmi, e siç është bërë e ditur nga Komuna e Prishtinës të tilla kënde do të shtohen edhe në parqet e tjera të Prishtinës me qëllim për të nxitur edukimin fizik dhe shëndetësor, po ashtu të vetëdijesohen të rinjtë për mbrojtjen e mjedisit dhe kujdesin ndaj tij. Gjatë përurimit të këtij këndi, drejtoresha e Parqeve në Komunën e Prishtinës, Donika Çeta, theksoi se ky është parku i parë i këtij lloji jo vetëm në kryeqytet, por edhe në mbarë rajonin.