SOT

Parku i Gërmisë, vend për atraksion e shëndet

I ka 82 vjet, por duket sikur të ishte në të 60-at.

Hysen Xhema nga Prishtina tregon se ndihet i shëndetshëm falë ecjes së rregullt në parkun e Gërmisë.

Rreth 4 orë në ditë, ai i ndan vetëm për shëndetin e tij, edhe përkundër moshës që ka thotë se nuk ka asnjë sëmundje.

“Zgjona herët në mëngjes, para se me dalë prej shtëpisë i bëj disa ushtrime, ha mëngjes pastaj dalë në Gërmi shëtitna. Ju kisha preferua sidomos të rinjve që patjetër të dalin ta shfrytëzojnë këtë bukuri natyrore. Qe 15 vjet eci rregullisht në Gërmi mu ka mësuar edhe trupi, ndihna më mirë me shëndet. Unë nuk kam asnjë sëmundje njëherë përnjëherë falë shëtitjes në Gërmi. Kohë më parë kam pasur tension të gjakut, por më është larguar”, thotë Xhema.

10 kilometra ecje çdo ditë i bën edhe Agim Gashi. Ai së bashku me bashkëshorten dalin në Gërmi për ushtrime fizike dhe ecje.

“Zgjohemi në orën 6 të mëngjesit, deri në Gërmi vijmë me autobus. Ecim 2 deri në 3 orë varet sa mundemi me qëndruar. Rregullisht që dalë janë bërë rreth 4 vjet, më ka ndihmuar shumë në shëndet sidomos ushtrimet, ecja. Ne nuk pretojmë me ec. Unë i kam 65 vjet, unë eci edhe e ndie vetëm shumë të shëndetshëm shumë të fortë. Ju kisha bërë thirrje të gjithëve që ta shfrytëzojnë Gërminë se nuk ka gjë më të mirë”, tregon Gashi.

Shtigjet e Gërmisë shfrytëzohen çdo ditë edhe nga Tafil Karaçica dhe Ridvan Osmani.

“Prej kur jam dalë në pension, rregullisht dalë në Gërmi. Eci deri 10 kilometra në ditë herë më pak herë më shumë varet. E ndijë vetëm shumë mirë, asnjë sëmundje nuk kam. I kam dy shok dalim së bashku, hapësirë për me ec ka shumë. Gërmia është për të gjitha sëmundjet p.sh gjak, diabet, tension etj. 71 vjet i kom dalë në Gërmi prej se jam dalë në pension, edhe më herët kam dalë por më rrallë por nga pensioni rregullisht. Me ketë shokun ecim, ndalemi me pi kafe, çaj”, thotë Karaçica.

Ridvan Osmani tregon se i bën 10 deri në 12 kilometra në ditë.

“10 deri në 12 kilometra bashkë me shokun ecim në ditë. Unë më shumë dalë për ajër të pastër dhe relaksim se unë e kam edhe shtëpinë afër gërmisë po dalë më humb kohën edhe për shëndet. Me ecje gjumin po e bëjë më mirë, po ushqena më mirë dhe frymëmarrjen e kam më mirë”, thekson Osmani.

Parku është i mbushur me qenë endacakë, por Osmani thotë se ata nuk janë agresivë.

“Ka qenë endacakë, por mos me i ngacmuar nuk kanë çka bëjnë. Ne jem shumë të kujdesshëm ndaj tyre”, tregon Osmani.

Parku i Gërmisë shfrytëzohet edhe për aktivitete të shumta kulturore e sportive, por edhe aktivitete të ndryshme me nxënësit e shkollave fillore e të mesme.

“Ne si shkollë e kemi paraparë që sot të kemi aktivitete në natyrë ose mësim në natyrë. Shfrytëzohet me raste nga mësimdhënësit, por nga distanca e kemi të pamundur që çdo muaj të organizojmë më shpesh. Ju lus që ta shfrytëzojnë sa më shumë parkun e gërmisë dhe ta mirëmbajnë vendin”, thotë drejtori i Shkollës së Gjelbër, Besart Ismajli.

Sipas ekspertëve të natyrës, Parku i Gërmisë është filtër i kryeqytetit andaj mban epitetin e mushkërive të kryeqytetit.