SOT

“Pack rafting”, sporti i ujërave të shpejta me shumë adrenalinë

Me çanta të mëdha në krahë janë drejtuar kah Lumbardhi për pack rafting. Kjo është hera e dytë që këtë lum po e lundrojnë Arian Krasniqi e bashkëshortja e tij.

Meqenëse barkat janë personale, secili bën gati mjetet e nevojshme për lundrim.

E bashkudhëtarë në këtë atraksion bëhet edhe një mik.

Sipas Krasniqit, pack rafting është sport për ujëra të shpejta, por që pak ushtrohet në Kosovë. E të pakta janë edhe njohuritë që qytetarët kanë për të.

Duke bërë krahasimin me aktivitetin e raftingut, Ariani shton se ky sport përmban më shumë adrenalinë dhe është më emocionues. Ndërsa sa i përket rrezikshmërisë thotë se mjafton të kemi pak kujdes.

Ditët e nxehta me diell, sikurse kjo, janë ideale për një aktivitet të tillë. Përgjatë lundrimit sportistët mund t’i shijojnë edhe bukuritë e tjera të Prizrenit, thotë Krasniqi.

Këta të fundit ndalen për t’i përçuar disa emocione edhe te ne.

Në rrjedhën e Lumbardhit, rrjedhin edhe idetë për lundrimet e radhës.

Koha e kaluar në barkë përmban shumë përfitime. Ai thotë se të paktën këta janë janë minutat larg teknologjisë.

E shpreson që resurset e tilla që ka Kosova të shfrytëzohen sa më shumë.

Ky lum është i gjatë rreth 35.5 km e për të ecur rreth tij merr një kohë më të gjatë, por sportistët e klubit “SuperXplorers” e përshkuan shumë shpejt.