Ngrohtësinë e fundivitit na e sjellin zbukurimet e dritat e vendosura në ambientet e jashtme.
E atmosfera bëhet akoma më festive kur na shoqëron edhe muzika.
Megjithatë, është edhe një veprim me të cilin e vulosim festimin e ardhjes së Vitit të Ri.
Nysret Namani është personazhi i cili për tashmë dhjetë vjet shndërrohet në Babadimër gjatë muajit dhjetor.
Ai rrëfen për përjetimet që ka kaluar gjatë kësaj dekade, të mbushura përplot me dashuri nga fëmijët.
“Kemi dëshirë t’i gëzojmë fëmijët sepse ai gjithmonë e pret këtë sezon për të parë babadimrin...”
Namani thotë se dëshira për t’i bërë të lumtur fëmijët, ka qenë shtysa për ta filluar një punë të tillë.
Të qenit Babadimër e ka ndihmuar të jetë më i afërt me fëmijët. Namani thotë se në këta vjet sa ka punuar si Babadimër është mësuar me praninë e të vegjëlve dhe ndihet shumë mirë pranë tyre.
Babadimri njihet për plotësimin e dëshirave e sjelljen e dhuratave.
E sipas Namanit ka fëmijë që vijnë me plot kërkesa e dëshira për të cilat ai iu thotë se do t’i marrin natën e ndërrimit të moteve.
Ndërkohë menaxherja e “Foto Canon” flet për traditën e fotografimit me Babadimër, që e kanë filluar diku para 40 vjetëve e po vazhdojnë edhe sot e kësaj dite.
Sipas Ajla Ethemit, një Vit i Ri nuk ishte i plotësuar nëse nuk kishim një foto me Babadimrin, andaj edhe nostalgjia që është krijuar ndër vite po e mban traditën si zakon nga shumë familje.
E një e metë që është bërë e zakonshme nga klientët, sipas Ethemit, është fotografimi me telefon, i cili sado më i lehtë e pa shpenzime të jetë, nuk e zëvendëson fotografinë e shtypur bashkë me kalendarin e Vitit të Ri.
Viti i Ri karakterizohet me lumturi, e këtë mundohet ta sjellë edhe personazhi i Babadimrit, sepse përcjellja e pozitivitetit e dashurisë mes njerëzve është ajo që duhet për të filluar një vit të mbarë, sidomos pas këtyre periudhave të vështira.