Më 5, 6 dhe 7 mars, çdo shkollë e Kosovës kujdeset që nxënësit e saj të mësojnë dhe të ruajnë në mendje informacionet për Epopenë e UÇK-së dhe sakrificën e familjes Jashari në Prekaz të Skenderajt, gjatë vitit 1998.
Shkolla “Dëshmorët e Koshares”, që çdo ditë të shënuar të vendit organizon aktivitete në bashkëpunim me nxënësit, 27-vjetorin e kësaj ngjarjeje e shënoi në mënyrë të veçantë. Për të përkujtuar sakrificën e Jasharëve, 56 balona u ngritën në qiell për të nderuar 56 viktimat e familjes.
Sipas mësimdhënëses, Pranvera Qerimi, këto aktivitete ndihmojnë nxënësit të kuptojnë më mirë rreth historisë së vendit.
“Këto aktivitete kanë shërbyer shumë në të mirën e nxënësve, sepse nxënësit përfshihen në aktivitet, shembull ne kemi folur për Besarta Jasharin, por ne e kemi ftuar atë në shkollë dhe ajo ka qenë tek ne e kanë parë nga afër, madje edhe për nënën Ferdonie disa herë kemi përmendë, por ndryshe ka qenë kur e kemi vizituar nga afër dhe kemi dëgjuar rrëfimin e saj”, thekson Qerimi.
Ajo thekson se nxënësit mezi presin këto data për të nderuar të gjithë dëshmorët e vendit tonë, duke njohur kontributin dhe sakrificën e tyre për lirinë që gëzojnë sot.
“Sot jemi duke organizuar një aktivitet duke përfshirë datat historike 5, 6, 7 mars që ka filluar epopeja e Prekazit, familja Jashari ranë heroikisht. Si simbol për sakrificën e tyre kemi vendos që me nxënësit e shkollës të jemi me veshje kombëtare, me nga një balon, me emrin e dëshmorit përpara, do të kuptojmë për historinë që ka ndodhur dhe do i ngritin 56 balonat për 56 dëshmorët e rënë. Qëllimi i aktivitetit është që nxënësit të jenë të mirinformuar për këtë ngjarje dhe jo vetëm të kalojmë si informacion përmes librave”, deklaron Qerimi.
Nxënësi i klasës së 8-të, Drilon Mujota, para shokëve dhe shoqeve të klasës prezantoi historinë e familjes Jashari, duke çmuar secilin dëshmor të luftës së fundit në vend.
“Është shumë e rëndësishme t'i mbajmë këto aktivitete, mësuesja Pranvera është iniciatore e këtyre aktiviteteve që na ndihmon neve me i mbajt në mend më mirë. Sot unë e kam përgatitë një prezantim, kam hulumtuar më shumë në internet, sepse kam ditë se çka është Epopeja, por jo aq gjerësisht, kur i mora shënimet nëpër internet kuptova shumë mësime dhe do t’i mbaj mend gjithmonë. Familja Jashari sakrifikoi dhe ne nuk do ta harrojmë asnjëherë e po ashtu do të jemi mirënjohës gjithmonë”, deklaron Mujota.
Drejtoresha e shkollës “Dëshmorët e Koshares”, Afërdita Beqa thotë se shkolla që udhëheq është me fat që ka mësimdhënës dhe nxënës të tillë, të cilët çdo kontribut të dëshmorëve e përkujtojnë përmes aktiviteteve të tilla.
“Sot në shkollë ne kremtojmë me nderin më të thellë Epopenë e lavdishme të UÇK-së dhe sakrificën heroike të Jasharëve, aktiviteti është shumë i rëndësishëm për ne si institucion arsimor, sepse duam të përcjellim te gjeneratat e reja vlerat e sakrificës dhe nderit, 56 balona do t’i lirojmë si simbolikë e të flijuarve për liri’, thekson Beqa.
Pas orës historike, 56 nxënës u renditën njëri pas tjetrit, duke mbajtur në duar emrat e secilit dëshmor të familjes Jashari. Në fund, ata lëshuan balonat në qiellin e kaltër si shenjë mirënjohjeje për kontributin dhe sakrificën e dëshmorëve të vendit.