Java e tretë e prillit ka shënuar kthimin e nxënësve në banka shkollore pas një periudhe 2-javore ku arsimi parauniversitar u kufizua me mbajtjen e mësimit në platformat online.
Nën masa kontrolluese si matja e temperaturës e obligimi i mbajtjes së maskave e distancës nxënës të gjimnazit ‘’Gjon Buzuku’’ në Prizren hareshëm iu kthyen korridoreve të shkollës.
Për shumë nga ta mbajtja e mësimit larg objekteve shkollore ndikon keq në psikologjinë e tyre.
E edhe mësim nxënia thonë se vjen më e lehtë kur ata janë prezent në klasë.
Për profesoreshën e këtij gjimnazi Raxhije Hoti një situatë e tillë vazhdon të jetë vështirë e përballueshme.
Megjithatë, kthimin e mësimit fizikisht ajo e quan si kthim në normalitet që i bën ta harrojnë situatën me pandeminë për aq kohë sa janë në klasa.
Me gjithë hapjet e mbylljet e shpeshta që kanë pësuar institucionet arsimore drejtori i këtij gjimnazi thotë se kjo ka shërbyer për një afrim mes profesorëve dhe nxënësve për shumë projekte në kohë izolimi.
Rikthimi i nxënësve në objektet shkollore iu është lënë në dorë komunave dhe shkollave që të vendosin për punën me njërin nga skenarët A, B ose C, varësisht prej situatës me pandeminë.
Skenar këta që përfshijnë kthimin e tërësishëm në klasa, mësimin e kombinuar apo vetëm mësimin online.