SOT

Nxënësit e shkollave profesionale përmes mësimit dual përgatiten për tregun e punës

Shkollat profesionale ka kohë që kanë marrë vëmendjen e gjeneratave të reja, gjimnazet nuk janë më në zgjedhjet e para të nxënësve.

Atyre po u jepet mundësia që praktikën e profileve të ndryshme ta realizojnë në bizneset kosovare, e jo vetëm. Nxënësit e shkollës "7 Shtatori" me drejtimet Tregti, Hoteleri dhe Turizëm një pjesë e tyre patën shansin të udhëtojnë në vendet më të zhvilluara e t’i marrin praktikat më të mira nga atje, e t’i sillnin në shkollë e në vendlindje.

Orlisa Rakovac thotë se zgjodhi drejtimin e Turizmit që përmes këtij profili të udhëtonte në botë e më pas të realizojë ëndrrën e saj për profesionin e së ardhmes, si stjuardese.

“Në këtë shkollë jam që një muaj, drejtimin zgjodha për turizëm më ka pëlqyer shumë sepse sjellë një të ardhme me mundësi për të parë nga afër shtetet e ndryshme. Nga ky drejtim përfitime ka të shumta, pajisemi me diplomë dhe me të mund t’i vazhdojmë jashtë vendit edhe studimet por edhe punën. Në këtë dhomë të hotelit brenda objektit të shkollës e mbajmë praktikën pothuajse çdo ditë ku kujdesimi për mirëmbajtjen dhe dukjen e saj sepse pastërtia këtu flet për sjellën tonë ndaj klientit. Synimi im është që të marr diplomën, të përfundoj fakultetin dhe të bëhem stjuardese. Nga ky zanat më pëlqen të punojë me njerëz të jashtëm, me kultura të ndryshme dhe të kem një të ardhme jashtë vendit”, thotë Rakovac.

Edhe për Greta Preniqin synimi për të hapur biznesin e saj të së ardhmes me tregti bëri të zgjidhte këtë profil.

“Tregtia më ka pëlqyer shumë si drejtim, për një të ardhme më të mirë, e biznes timin, edhe gjimnazet janë opsion i mirë por më pas duhej shkollim shtesë, e në shkollën profesionale arrij të diplomohem dhe të vetëpunësohem”, thekson Preniqi.

Aulona Salihu tani në klasën e 11-të, aktualisht po punon në një nga restorantet e njohura në kryeqytet. Përpos teorive të fituara në shkollë, praktika po i jep mundësi të njihet më mirë me zanatin e kuzhinieres.

“Jam në vitin e dytë, praktikën po e bëj në Rrugën B, përgatis sallata e mishra, dy ditë kam teori dhe 3 ditë tjera praktikë por unë edhe vikendin e shfrytëzoj për të punuar. Më herët kam përgatitë ndonjë supë në shtëpi, por tani praktika më ka ndihmuar të zotëroj zanatin dhe tani edhe ushqimet kryesore i përgatis në shtëpi”, tregon Salihu.

E nxënësi Yll Cakolli thotë se nga teoria e fituar deri tani në shkollë ka mësuar atë të vlerësojë edhe sjelljet e mirëpritjes të secilit biznes.

“Mua më pëlqen drejtimi i kuzhinierit sepse kam edhe mësimin dual sikurse në Gjermani është teoria edhe praktika në teren, në gjysmëvjetorin dytë do të filloj praktikën diku në një nga bizneset tona. Profili im të mëson për mirësjelljen dhe mirëpritjen e klientëve, e tani kur po i vizitoj restorantet analizoj sjellën e stafit që na bëjnë”, tregon Cakolli.

Mësimdhënëset thonë se mësimi me modalitete është përparësi e madhe për nxënësit sepse ata praktikën më të mirë po e sjellin në vendlindje, e aktualisht kanë nxënës të shpërndarë në shtete të ndryshme.

“Në shkollën tonë kemi filluar me modalitete që nga viti 2019-20, për shkak të pandemisë një kohë ndërpremë, 7 nxënës të tjerë kanë vizituar Slloveninë, disa të tjerë në Itali e Greqi, në Budapest aktualisht kemi 2 nxënës, e ky ndryshimi me modalitete ka bërë që nxënësit të tërheqin më shumë dhe të vendosin të vijnë në shkollën tonë, e tani e kemi interesimin çdo herë e më shumë”, tregon Vllasalihu-Krasniqi.

Mësimdhënëset thonë se nxënësit përpos që aftësohen nëpër biznese të ndryshme duke kryer praktikën, ata po ashtu paguhen për punën e tyre, njëkohësisht edhe nuk iu ndalohet vijimi në shkollë.

“Shkolla jonë ofron 3 drejtime, ekonominë që ka profilin e tregtisë me shumicë e pakicë, drejtimi i hotelerisë që ka profilin asistent i mirëpritjes hoteliere dhe kuzhinierë dhe turizmi që ka profil e asistentit të turizmit. Nxënësit në shkolla profesionale kanë mundësinë teorike dhe praktike, nxënësit tanë m und të aftësohen për tregun e punës po ashtu nuk iu mohohet as studimet, prandaj edhe zgjedhin këto profile sepse gjatë shkollimit të tyre ata punojnë në vende të ndryshme përpos që aftësohen ata edhe paguhen për praktikën që marrin”, thotë Shemsije Ibrahimi, mësimdhënëse në shkollën “7 shtatori”.

Sipas Ministrisë se Arsimit, suksesi i viteve të kaluara ka bërë që të zgjerohet mësimi dual me profile të reja, kjo si mundësi e mirë për lidhjen e arsimit me tregun e punës.