Nxënësit e shkollave të Kamenicës, përmes ideve dhe vizatimeve artistike, kanë projektuar pritoret e reja të autobusëve në këtë qytet. Sipas tyre, kjo ishte një ide e Komunës dhe projektet e tyre janë zgjedhur të parat në konkursin ndërkombëtar. Tanimë pritoret vetëm se kanë filluar të ndërtohen.
Nga një atelie e vogël ka filluar gjithçka.
Këto vija të lira shumë shpejt do të bëheshin projektime të mëdha, prej të cilave do të ndërtoheshin pritoret e autobusëve.
Disa nxënës në Kamenicë mblodhën forcat dhe projektuan këto pritore.
Të njëjtat tani qytetarët e Kamenicës po mund t’i shohin nëpër qytet.
Altin Imeri, nxënës i klasës së 11-të, thotë se ideja që pritorja të duket në formë të pemës i ka ardhur duke u bazuar në natyrën e qytetit të tij.
“Ideja që ta projektoj pritoren në formën e pemës ka ardhur si frymëzim i natyrës së Kamenicës. Që qyteti ynë është një vend i gjelbëruar dhe kjo ka qenë ideja. Unë do të vazhdoj të merren me vizatime, tani jam duke mësuar për arkitekturën, mirëpo unë do të vazhdoj edhe më tej më këtë gjë”, thotë ai.
Një nxënëse tjetër ka folur gjithashtu për projektimin. “Në pritoren e projektuar nga unë ka qenë forma e dredhëzës dhe po mendoj që pikërisht kjo formë ka qenë më interesante. Kam vendosur në formë të dredhëzës ta bëj, sepse në pritoret e tjera kanë qenë njerëzit e mërzitur. Ideja ime ka qenë që ta bëjë një pritore ku njerëzit do të ishin më të lumtur”, tregon nxënësja Ornela.
Ideja që pritoret të jenë me sistem të digjitalizuar kishte ardhur nga nxënësja Diana Morina.
“Ideja rreth projektit ka ardhur që Kamenicës me ia shtua një ndjenjë më të madhe dhe bashkim të komunitetit në mes të njerëzve. Gjithashtu ka ardhur nevoja me rrit infrastrukturën në qytetin tonë. Mendoj që projekti i pritores time ka pasur shumë elemente të veçanta duke filluar nga shportat ndarëse të mbeturinave, vendet për parkimin e biçikletave, për mbushjen e celularit dhe bërjen e telefonatave emergjente dhe bankomati për shërbime financiare dhe shërbime të tjera, si biblioteka kioska e të tjera”, tregon Morina.
Kurse profesoresha Arta Llapashtica, e cila njëkohësisht ka trajnuar nxënësit, thotë se procedura ishte e lehtë. Shton se ndihet krenare që ka qenë pjesë e këtij procesi.
“Ideja ka qenë e komunës, neve si mësimdhënës na u është kërkuar që t’i selektojmë dhe t’i trajnojmë më pas fëmijët e talentuar. Deri te gara dhe përzgjedhja e punimit më të bukur që të realizohet si pritore në Komunën e Kamenicës. Normalisht është një punë me nxënës dhe imagjinata e secilit duhet të vlerësohet, nuk ka qenë shumë e vështirë sepse ne kemi bashkëpunuar edhe me arsimtarët e tjerë nëpër shkolla të tjera dhe pastaj ka qenë një ekip nga Prishtina që i ka përzgjedhë”, tregon Llapashtica.
E përzgjedhjen e tyre e shpjegon vetë kryetari i Komunës, Kadri Rahimaj.
Ai projektin e quan unik dhe të paparë më herët në komuna të tjera.
“Ne e kemi zhvilluar një procedurë për projektim të pritoreve të autobusëve fillimisht iniciativa ka qenë që ideja të rrjedhë nga fëmijët, të cilët vijojnë mësimet nga klasa e parë deri në klasën e nëntë. Kemi kërkuar që fëmijët ta ideojnë projektin e pritoreve. Kemi marr 100 punime 10 punime i kemi përzgjedhur si më të mirat. Nga copëzat e atyre punimeve të fëmijëve ne kemi arritur ta realizojmë një pritore unike për Kamenicën”. Deklaroi Rahimaj.
Me këtë projekt nxënësit kanë aplikuar në Festivalin Botëror të Arkitekturës në Singapor, kanë hyrë në listën e ngushtë, 8 në mesin e projekteve më të mira në botë.
Gara për projektin më të mirë të festivalit do të mbahet në nëntor të këtij viti, në Singapor.