SOT

Interesim i madh për sporte elektronike

Dikur shiheshin vetëm si lojëra për të kaluar kohën e lirë nga të rinjtë, derisa sot janë kthyer në një sport për të cilin duhet shumë përgatitje para kompjuterit.

Bëhet fjalë për lojërat kompjuterike si Counter-Strike Global Offensive, Player Unknown’s Battlegrounds e Fortnite, lojëra të cilat kanë kthyer interesimin e të rinjve.

Vetëm gjatë dy vjetëve të fundit industria e “ESports’’ ka shënuar rritje prej miliona dollarësh në Amerikë, Kinë e Skandinavi.

E së fundmi ky sport virtual ka zënë vend edhe te të rinjtë kosovarë që po i shtyn ata të merren profesionalisht në këtë industri.

“Esports Kosova Gaming’’ është hapësira që për më shumë se 12 vjet ka mbajtur të gjallë këtë lloj sporti që gjatë një periudhe u harrua në Kosovë.

Sipas Granit Makollit, ky sport ka bërë që shumë të rinj ta mendojnë si profesion të së ardhmes për shkak të fitimit që vjen gjatë garave të ndryshme.

Makolli tregon se në turnirë ndërkombëtarë ka pasur edhe lojtarë nga Kosova që shpjegon rritjen e interesimit për t’u marrë me “gaming’’.

Sipas tij, kjo industri ende nuk merret seriozisht në vendin tonë për çka synohet vetëdijesimi dhe luftimi i paragjykimeve përmes organizmit të garave të ndryshme në vend.

Është pikërisht interesimi i madh i lojtarëve nga vendi që ka shtyrë një kompani vendore të organizojë ligën më të madhe të “ESports’’ në Ballkan.

‘’Gjirafa50 Masters League’’ është liga e cila ua mundëson 16 ekipeve garën mes vete në CS-GO.

Liga e krijuar nga Gjirafa50 përpos lojtarëve ua mundëson edhe adhuruesve të këtij sporti që të ndjekin në kohë reale garat mes ekipeve të tyre favorite.

Krasniqi thotë se është krijuar një platformë profesionale përmes së cilës të rinjtë kosovarë mund të shfaqin talentin e tyre në sportin që po shihet si profesioni i së ardhmes.

“Gjirafa50 Masters League’’ do të ketë edhe sezonin e saj të dytë të cilit priten t’i bashkohen edhe lojtarë nga vendet e tjera evropiane e më gjerë derisa edhe çmimi për fituesit do të jetë më i madh.