Në fazën përgatitor fëmijët mësojnë shumë. Përveç shkronjave dhe numrave gjatë kësaj periudhe është e rëndësishme të mësojnë edhe për kafshët. Një mundësi të tillë e kanë pasur fëmijët e moshës 5-6 vjeçare të SOS kopshtit. Arian Mavriqi ishte aty për të mbajtur një ligjëratë për ta.
“A dini lloje të shpendëve? Pulëbardha? Lejleku? Dallëndyshja? Papagalli? Bufi? Shqiponja, Skifteri, korbi, harabeli...Bravo”, është kjo biseda e këndshme mes fëmijëve dhe Arian Mavriqit, fotografit i cili dokumenton botën e egër të kafshëve në Kosovë.
Njohurit e shumta të tij, ai i ndau me parashkollorët, në Qendrën sociale-edukative Sos kopshti, në Prishtinë. Qëllimi ishte informimi me njohuritë bazë të shpendëve, për fëmijët të cilët po përgatitën për klasën e parë.
“Jam Arian Mavriqi, nga Kamenica, punoj në Kohavision. E kam një dokumentar që flas veç për kafshët e egra. Kafshët e egra në natyra, aty ku ka lumenj, liqene, laguna, aty ka kafshë të egra. Kur them kafshë nënkuptoj gjitar, zvarranik, shpend, të gjithë këta janë mbretëri e kafshëve. Ne mendojmë se vetëm ata që janë me dhëmb janë kafshë, por jo, të gjitha këto që i përmendëm”, thotë Mavriqi.
Shtegtimi i shpendëve, ishte njëra ndër temat më interesante, për të cilën shprehën interes edhe vet fëmijët.
“Cilët janë shpendët që nuk shtegtojnë? Është korbi, nuk shtegton pëllumbat, nuk shtegtojnë as dy lloje të harabelave, ndërsa një tjetër shtegton. Nuk shtegton as qukapiku. Më së shumti qukapikë kemi në parkun e Gërmisë”, deklaron Mavriqi.
Marsi është koha kur shpendët shtegtar kthehen në vendin e origjinës. Si arrijnë ta bëjnë këtë?
“Shtegtari ka dy receptor, njëri është në krahun e tij të djathtë e tjetri në syrin e tij. Ato i mundësojnë ta ndjejnë fushën magnetike dhe ta shohin ato. Përmes tyre i mbajnë mend moqalet, fushën e shtegtimit. Pra e mbajnë mend gjithmonë rrugën dhe kthehen përsëri në vendin e origjinës”, thotë ai.
Mavriqi u shpjegon të vegjëlve se pse është e rëndësishme kthimi i shpendëve pas shtegtimit.
“Një dallëndyshe i hanë 750 insekte brenda ditës. Sa miliona dallëndyshe janë dhe ato kur të kthehen na ndihmojnë neve, përndryshe na do ta kishim jetën e pamundur po të mos ktheheshin ata.Kemi lloje të shqiponjës që ushqehen me minj. Kemi lloje të skifterëve që ushqehen me hardhuca, me minj. Pra të gjithë këta e kanë një mision për t’i eliminuar këta brejtës apo zvarranik, sepse përndryshe do të ishin shumuar dhe ne do ta kishim të pamundur jetën në tokë”, tregon Mavriqi.
Ligatina e Henzit është vendi me shpendët më shtegtarë në Kosovë.
“Vendet më të përshtatshme janë lagunat, liqenat, lumenjt dhe ligatina. Në Kosovë kemi ligatinën e Henzit dhe është vendi me shpendët më shtegtarë në Kosovë. Në Pranverë do të shkojmë në ligatinë dhe t’i shohim shpendët shtegtar se si ushqehen, sa interesant është bota e tyre”, thotë Mavriqi.
Kureshtja nuk i la fëmijët pa bërë edhe pyetje.
“Cili është shpendi më i shpejtë?”, pyet njëri.
“Cili është shpendi më i bukur?”, pyet një tjetër.
“Krijesa më e shpejtë në botë është një shpend. Ai shpend quhet krathata. Shpejtësinë maksimale krathata në sulm ë ka arritur në 389 kilometra në orë për ta sulmuar një pëllumb. Emri shkencor është falkopelegrin. Shpendi më i aftë, është një lloj tjetër i skifterit. Skifteri i drurëve. Skifteri i vetëm që mund të kap edhe një dallëndyshe në veprim. Pyetja që ishte se cili është shpendi më i shpejt në planet, është krathata dhe shpejtësia e tij është 389 kilometra në orë gjatë sulmit. Ndërsa për pyetjen se cili shpend është më i bukur, është pupëza. I ka kurorat dhe ka ngjyra fantastike dhe ka një fluturim të bukur”, thotë Mavriqi.
Nga gjithë kjo ligjëratë, fëmijët morën shumë informacione.
“Shpendët shkojnë shumë larg...”, thekson njëri.
“Shpendët së pari janë në Kosovë pastaj shkojnë në deti se atje është më nxehtë”, thotë një tjetër.
Edukatorja e kopshtit, Kadrije Kadriu, thotë se këto ligjëratat u ndihmojnë shumë fëmijëve në fazën përgatitore.
“Ideja fillon me stinën e vjeshtë. I kemi aktivitete e vjeshtës, është njëra ndër temat që e zgjon kureshtjen e fëmijëve, vet shpendët. Le t’i përdorin vet rrjetet sociale për cka është më e mira për ta, çka ata mësojnë”, thekson Kadriu.
Në fund, lejleku ishte kujdesur që para shtegtimit, fëmijëve t’iu lë edhe sheqerka në oborrin e kopshtit.