SOT

Njihuni me Nil Dedincën, 8-vjeçarin e pasionuar pas futbollit

Stili i tij i flokëve mund edhe t’iu ngjajë në atë të futbollistit të njohur Lamine Yamal. Ky është 8-vjeçari Nil Dedinca nga Prishtina, i cili ka një pasion të jashtëzakonshëm për futbollin. 

Nili ka tre vjet që stërvitet në shkollën e futbollit "Zidane", duke ushtruar tri herë në javë. 

“Jam Nil Dedinca dhe jam 8-vjeçar. Kam zgjedh futbollin, sepse e kam në qejf këtë sport po edhe kam talent për të, prandaj fillova me futboll kur i mbusha 5 vjet. Në fillim kam nisur me driblingje në shtëpi, e pastaj i kam kërkuar prindërve që të më dërgonin për stërvitje”, thotë 8-vjeçari. 

Ai tregon se ditët e para në stërvitje ishin më të lehta se ç’kishte pritur. 

Sipas tij, trajnerët kanë kërkuar vetëm disiplinë dhe përqendrim, dhe kjo ka qenë gjithçka që ai dhe moshatarët e tij duhet të ofronin për të ecur përpara. 

“Mezi kam pritë me fillu me u stërvit më shumë për futboll. Nuk e kam pas aspak vështirë, sepse e dua këtë sport. Gjithçka që trajnerët këtu në shkollën e futbollit kërkojnë nga ne është të jemi të rregullt dhe të koncentruar në stërvitje”, shton Dedinca. 

Mësimet në shkollë Nili thotë se asnjëherë nuk i lë anash.

Paralelisht me to ia kushton kohën futbollit e kujdeset që të ushqehet shëndetshëm.

“Unë zgjohem herët çdo ditë sepse shkoj në shkollë, pastaj kur të kthehem nisi të stërvitem si në shtëpi ashtu edhe në shkollën e futbollit. Si sportist më duhet të ha ushqime të shëndetshme dhe të kem gjumin e rregullt”, thotë Dedinca.

8-vjeçari deri tani ka marrë pjesë në shumë turne të futbollit, si pjesë e shkollës në të cilën stërvitet. 

Ndërsa pak kohë më parë Nili ishte pjesë e kampit të Barcelonës, trajnerët e të cilit ekip qëndruan në Prishtinë për t’i zbuluar talentet e reja të futbollit në Kosovë.

Atje takoi edhe njërin nga futbollistët më të njohur të Barcelonës. 

“Kam marrë pjesë në shumë turnire, si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës. Kam marrë pjesë edhe në Basel ku jam shpallur lojëtari më i mirë e pastaj kam qenë edhe në Barcelonë. Kur ishin këtu trajnerët e Barcelonës, na kanë përzgjedhur që të shkojmë në akademinë e tyre atje për ta shikuar talentin tonë. Atje i kemi pa të gjithë trajnerat e Barcelonës dhe futbollistin Lamine Yamal”, shton Dedinca.

Real Madrid është ekipi i preferuar i prishtinasit. 

Synimet i ka të qarta për të ardhmen. Nili do të vazhdojë t’i përkushtohet sportit të tij të preferuar, siç thotë ai, për ta bërë ëndrrën e tij realitet. 

“Unë i përcjelli të gjitha ekipet, por më së shumti më pëlqen ekipi i Real Madridit. Edhe në shkollën e futbollit që ushtroj unë i kam shumë bashkëmoshatrë, të cilëve ju them që të mos dorëzohen kur e kanë një ëndërr, sepse edhe unë synoj që ta realizoj ëndrrën time, të bëhem një futbollist me emër”, deklaron Dedinca.

Teksa e veçon përvojën në Barcelonë, Nil Dedinca nga Prishtina synon fushat e futbollit ndërkombëtar.