SOT

Njihuni me 88-vjeçarin i cili kujdeset për bagëtinë

“Më vështirë e kam të rri sesa të punoj”. Këto janë fjalët e 88-vjeçarit Rrustem Mehmetaj i cili, me gjithë moshën, çdo ditë angazhohet me bagëti.

Megjithëse punën kryesore e bën djali i tij, Mehmetaj, nga fshati Rudicë e Komunës së Klinës, sfidon moshën duke u angazhuar me punët e fermës familjare.

Dita për të fillon në 5 të mëngjesit, duke hequr mbetjet e lopëve, e ndonjëherë edhe duke iu dhënë ushqim.

E gjithë kjo punë për të është lloj sporti. 

“Unë jam adaptuar. Mua nuk më vjen vështirë hiç. Më vështirë më vjen me ndenjur se me dalë te to. Më 5 maj të vitit të ardhshëm i bëj 89 vjet, nëse na lënë, nëse nuk na thirrin atje ku duhet (qesh, duke bërë shaka). Puna nuk e prish askënd, por që duhet të kujdesemi të mos çojmë pesha të rënda, pesha e rëndë e shkatërron trupin e njeriut. Duhet të kujdesemi sa të mundemi. Për mua është sport, në mëngjes zgjohem në ora 5 dhe dal i largoj mbetjet dhe bukur larg e kom grumbullin e plehut ku e gjuaj, por mirë. Bletë kam, do pula janë. Dhelpra po na ndihmon nganjëherë me i hëngër”, thotë Mehmetaj.

Bagëtia e blegtoria për familjen Mehmetaj janë traditë shumëvjeçare.

“Ne merremi me këtë punë qe 200 vjet. Babagjyshi i babës është marrë me këtë punë. Babagjyshi jem, babai im ka qenë me Isa Boletinin. Edhe ne të tjerët jemi marrë me to, mirëpo e kemi traditë në prag të 200 vjetëve këtë punë”, thekson Mehmetaj.

22 krerë lopë të qumështit dhe të mishit. Kryeplaku i familjes thotë se nga to përfitojnë mbi 200 litra qumësht në ditë.

“Unë të gjitha i kam të blera. 1 hektar tokë e kam timin, koncentratin e blej çdo muaj, i bie 1000 kg. Janë 20 lopë të mëdha dhe viça që pinë nën nëna të veta. 22 i kemi të gjitha.  Qumështin vjen një kompani që e merr çdo ditë prej Skenderajt. Qumështin e kemi të siguruar dhe çmimi është pak i ulët, me qenë që na ndihmojnë komuna dhe qeveria është mirë. Prej 200-250, varësisht se si janë me qumësht. Ndër 200 kg janë raste të rralla”, tregon Mehmetaj.

Thotë se të punosh pranë familjes është shumë më mirë se të largohesh nga ajo.

“Duhet ta duam se me diçka duhet të merremi. Nëse nuk merresh me këtë punë, duhet të merresh me diçka tjetër. Kështu në shtëpi tënden je, punon kurdo, zgjohesh kur do, fle kurdo, shkon kudo, nuk të ngre askush për veshi dhe je i pavarur. I varur je se duhet t’iu rrish gati, t’i ushqejmë, të sjellim veterinarin. E kam nipin veterinar vjen e kujdeset për të çdoherë”, thotë Mehmetaj.

Ai ka një mesazh për të gjithë ata të rinj që po ia mësyjnë Gjermanisë. 

“Me e gjet veten njeri, për mua Gjermani është zero. Se je afër familjes, je në vendin tënd, punon për familjen tënde. Rezerva nuk kemi, nuk kemi pra aq shumë, por idare kemi mjaftueshëm sa mos me i thënë dikujt jepem para. Dikush trupin e ka këtu dhe mendjen e ka jashtë dhe mendojnë se kur të shkojnë atje i gjejnë parat e paluara. Atje asnjë cent s’ta jep askush pa pare. Atje as diellin s’guxon ta shikosh pa pare. E kanë marrë rinia këtë hov dhe është hov i keq, të gjitha kohëra kemi pasur presion dhe shtypje. Subrilloviqi ka thënë se u mundova ta zhduk popullin e Kosovës jashtë faqes së dheut, nuk munda ta arrija qëllimin se nëna shqiptare ma kaloi me lindje, 10-15 fëmijë. Tani edhe këtu kemi rënë nën zero. Se Kosova është në prag të dy milionëve. Dhe nëse e reduktojmë numrin e fëmijëve ne biem nën zero. Po nuk po më vesin dhe veç po pi duhan dhe po shukati”, thekson Mehmetaj.

Fshatin thotë se nuk do ta ndërronte me asnjë qytet. 

“Mua edhe me më dhanë pare në shehër nuk shkoj. Klima, ambienti, qielli, të tria këto janë një, janë të ndotur. Këtu midis fushe, 100 herë më mirë është katundi sesa qyteti. Ajo grua që është dalë në qytet, jashtë të vdekurit se nuk mund ta sjellësh më në katund. Unë më shumë kam dëshirë në katund se në qytet.  Me më thënë dikush se nuk po bën me re në shtëpi, unë nuk jam mësuar dhe çuditem. Katër reja i kam të katër vilajeteve të ndryshme. Unë e kam gjetur gjuhën e përbashkët me to që nuk mund t’i ndërroj me çika. Reja e mirë ta ndërron çikën. Me thanë që rinia nuk e do punën unë po e shoh, por në këtë lagje u mbytëm duke punuar, unë nuk mundem me thënë që jo. Njeriu duhet të gjendet aty ku jeton. Gjithmonë duhet të kënaqemi me atë çka ki e çka je. Nuk duhet të shikoni të dilni mbi vete se vdes urie. Duhet ta shikosh atë çka ta ka falë Zoti dhe e ke fituar, me atë duhet të kënaqemi”, tregon Mehmetaj.

88-vjeçari thotë se do të vazhdojë të angazhohet me punë aq sa shëndeti t’ia lejojë.