SOT

Njëri nga lokalet në Prishtinë menynë e ofron në telefon

Kafenetë e ndryshme në kryeqytet janë mbushur plot njerëz pas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë për hapjen e gastronomisë. Si duket qytetarëve u ka munguar që të ulen të pinë apo të hanë në këto ambiente.

E, në lehtësim të masave, restoranti “Local” po e përdor një teknikë të re për porosi. Mjafton që klientët të skanojnë barkodin që gjendet anash tavolinës, për t’iu shfaqur menyja e ushqimit, raporton KOHA.

Renea Binqe, kliente në këtë lokal, thotë se këtë veprim e ka parë si masë parandaluese për përhapjen e mëtejme të virusit COVID-19.

Ajo thotë se i ka pëlqyer kjo ide dhe rekomandon që edhe lokalet e tjera ta krijojnë një aplikacion të tillë.

Kjo teknikë e re, sipas menaxherit Mersim Bilalli, është praktikë nga vendet perëndimore.

Kyçja e klientëve në këtë aplikacion, sipas tij, është mjaft e lehtë.

Këtë metodë thotë se do ta vazhdojnë edhe pas kalimit të rrezikut na COVID-19.