SOT

Nga Amerika në Ferizaj, dhoma e kripës për shërim

“45 minuta në dhomë, vlen sa tri ditë në det”.

Kështu i krahason efektivitetin e kësaj dhome dhe qëndrimin në të menaxherja Diellza Hajredini.

Dhoma e Kripës është biznesi më i ri i hapur në Ferizaj nga 21-vjeçarja dhe familja e saj.

Hajredini rrëfen se ka qenë problemi i saj shëndetësor nismëtari i hapjes së një biznesi të tillë.

E meqenëse kjo metodë ka shërbyer për Hajredinin, ajo e solli edhe në vendlindje që t’u ndihmojë edhe bashkëvendësve të saj.

Janë disa sëmundje të cilat mund të gjejnë përmirësim, sipas 21- vjeçares, e krejt kjo arrihet nëse seancat vazhdohen me rregull.

Hajredini veçon duhanpirjen dhe reumën si dy shkaqet e vizitave nga kosovarët.

45 minuta është një seancë ditore që preferohet të mbahet, e numri i tyre dallon varësisht nga sëmundja.

Sipas Hajredinit, edhe pasojat nga virusi korona gjejnë lehtësim sepse mikrogrimcat e kripës farmaceutike arrijnë të depërtojnë deri në mushkëritë e dëmtuara.

Gjithçka e tepërt është e dëmshme, mirëpo 21-vjeçarja thotë se kjo metodë është natyrale dhe efektet anësore nuk janë të pranishme.

E edhe pse është hapur para dy javëve, interesimi nga njerëzit nuk mungon. Hajredini thotë se përveç për shërim, dizajni i dhomës të jep qetësi e të relakson.

Llambat e Himalajeve janë pjesë të dekorit të dhomës, të cilat përveç si zbukurime e bëjnë edhe pastrimin e ajrit dhe të ofrojnë qetësi.

E pasi kërkesa është e lartë, Hajredini zbulon se edhe një pikë e re pritet të hapet për të gjithë ata që shërimin mund ta gjejnë në dhomat e kripës.

Për ata që duan të jenë pjesë e saj, çmimi për një seancë është 10 euro.