SOT

Në mungesë konvikti, gjimnazistët udhëtojnë qindra kilometra

Ky është fundi i kilometrit të 50-të që Fisnik Halimi përshkon çdo ditë mësimi.

Ai bën rrugën nga Livoqi i Epërm i Gjilanit për në Prishtinë nga e hëna në të premte për të arritur në Gjimnazin e Specializuar Matematikor, aty ku po e vazhdon shkollimin e mesëm.

17-vjeçari rrëfen se janë të shumta vështirësitë me të cilat përballet derisa të mbërrijë në shkollë.

Me gjithë këta faktorë që i riu përmendi, ai kërkon një zgjidhje që do t’ia mënjanonte këto probleme.

Është nxënës i vitit të parë, megjithatë qysh tash ka filluar t’i mendojë pasojat që do ta presin për tre vjet nëse nuk bëhet një zgjidhje.

E edhe pse sakrifikon, nxënësi beson që mundi që e bën do të shpërblehet një ditë.

Gjimnazi i Specializuar Matematikor pranon nxënësit nga e gjithë Kosova.

E Halimi nuk është i vetmi nxënës që udhëton nga larg.

Lirak Kadria e bën edhe një gjysmë rruge më shumë se Fisniku.

Ai udhëton nga Prizreni, e sipas tij vështirësitë janë të shumta, përfshirë edhe mjetet financiare.

Kadria thotë se orët që i shfrytëzon në rrugë po të kishte mundësi do t’i shfrytëzonte për të mësuar.

Ndonëse Vushtrria është më afër se dy vendet e tjera, Feride Uka që udhëton nga atje thotë që nga rruga e gjatë jeta bëhet më dinamike e menaxhimi i kohës bëhet problem.

Një diferencim mes nxënësve që udhëtojnë e atyre banorë të rrethinës e bën edhe profesori Leutrim Kika.

Sipas tij, rruga e gjatë ndikon në humbjen e koncentrimit te nxënësit.

Kika thotë që ndërtimi i konviktit është paraparë e nëse realizohet do të ishte një faktor pozitiv për nxënësit.

I vetëdijshëm për sfidat e nxënësve është edhe drejtori i këtij gjimnazi, Shemsi Berisha.

Sipas Berishës, pranimi i nxënësve nga e gjithë Kosova, ndonëse është përparësi, nuk po mund të shfrytëzohet nga të gjithë.

Drejtori konstaton se kërkesa për një konvikt është bërë kaherë, por diçka e tillë nuk ka ndodhur.

Krahasuar me vitet e mëhershme, sipas drejtorit, interesimi i nxënësve për të vazhduar shkollimin e mesëm në këtë gjimnaz ka rënë.

Ndonëse sfidat për nxënësit janë evidente, drejtori tregon se bursat për ta janë ndarë e madje gjatë kohës së pandemisë shuma që e kanë marrë është dyfishuar nga 50 në 100 euro.