Muzeu familjar “Oda e Pashkut”, e ka marrë emrin nga Pashkë Krasniqi, i cili u masakrua nga forcat serbe bashkë me vëllanë Markun dhe xhaxhain Pjetrin në masakrën e Mejës gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Oda është e mbushur me gjësende nga lufta dhe Lush Krasniqit nga fshati Ramoc i Gjakovës, iu deshën që t’i mbledhë ato mbi dy dekada.
Oda që Lush Krasniqi e quan muze ka qenë amanet nga vëllai i tij, Pashku.
Fotografi, këpucë e gjësende të tjera të tyre e shumë të tjerëve të rënë për liri janë të ekspozuara në këtë muze.
Lush Krasniqi prej vitesh ligjëron lëndën e gjuhës shqipe në shkollën fillore të fshatit “Ardhmëria”.
Por në kohë të lirë kujdeset për odën e tij që i ngjan një muzeu.
“Oda e Pashkut” është e mbushur edhe me libra që kanë të bëjnë me histori shqiptare ndër vite, dorëshkrime të Lush Krasniqit para 30 vjetësh e gjera të tjera.
Krasniqi kërkon edhe mbështetjen institucionale për veprimtarinë disavjeçare që ia ka kushtuar grumbullimit të gjerave të cilat kanë histori të luftës.
Shtëpia nga vetë ai është quajtur muze, ndërsa si e tillë pak njihet te të tjerët.
Puna e tij e palodhshme në këtë aspekt ka për qëllim që gjeneratat e reja të dinë më shumë për luftën.
Muzeu gjendet në lagjen “Kodra e Hutit” në fshatin Ramoc të Gjakovës. Lush Krasniqi thotë se do të mirëpresë vizitorë të cilët duan të dinë rreth historikut të luftës së fundit në Kosovë përmes fotografive e gjësendeve të tjera antike që në këtë muze janë të ekspozuara.