Asnjë ditë nuk është e njëjtë për artisten nga Gjakova, Tefta Hoxhën. Të ndryshme janë edhe krijimet e saj. Por sot, inspirimi e “dërgoi” drejt hapësirës së vogël mbrapa shtëpisë ku edhe i ka të grumbulluara myshqet që i mbledh në bjeshkët e Junikut.
Me to thotë se krijon murale, por edhe korniza unike.
Këtë punë Hoxha e nisi 3 vjet më parë.
Sipas Teftës, stina e dimrit dhe pranverës është më e përshtatshmja për të gjetur myshqe të duhura. Më pas myshqet duhet të qëndrojnë në një vend të errët e të freskët deri sa të vijë koha për t’i aplikuar, thotë 42-vjeçarja.
Sipas saj, krejt procesi përfshin një punë disamujore e të lodhshme. Por punën me myshqe nuk e bën vetë.
Korniza, orë e murale janë ato që i ka krijuar deri më tani e shumica vijnë si kërkesa të veçanta nga klientët.
Kafiteritë janë ato që kërkojnë murale me myshqe. Murali më i gjatë që punoi, sipas Hoxhës, ishte 60 metra katrorë.
Pas përfundimit, klientët duhet t’i mirëmbajnë ato duke i spërkatur kohë pas kohe me ujë.
Çmimi për një krijim të tillë varet nga madhësia e punimit.
Hoxha talentin e saj e shpreh edhe në pikturë e aksesorë punëdore.