SOT

Mungesë e punëtorëve, të moshuarit shërbehen vetë me çaj

Duke luajtur shah e letra, në këtë vend pensionistët e Prishtinës e kalojnë kohën më të madhe të ditës.

Qendra e të moshuarve afër “Xhamisë së Llapit” është ndër më të frekuentuarat dhe në të gjatë ditës qëndrojnë një numër i madh i pensionistëve.

Çaji është ajo që i shoqëron gjatë kësaj kohe e që Komuna e Prishtinës ka një kohë të gjatë që ua ofron këtë shërbim.

Mirëpo, për shkak të mungesës së punëtorëve, pensionistët tani po detyrohen të shërbehen vetë.

Kjo gjë, sipas tyre, është një barrë e rëndë për ta, pasi ata tashmë janë të moshuar.

“Ka qenë kjo super mirë e organizuar me kryemenaxheren Besa, e ka organizuar shumë mirë. I ka pas dy punëtorë të mirë por ia kanë heq, nuk e di pse. Mirë s’kanë veprua. Kjo e ka detyrën e vet, punëtorë për tjera gjë nuk ka. Kam shkuar te drejtoresha kam kërkuar pse nuk po qesin çaj? Se Besa vetë nuk mundet t’i bëj të gjitha. Kjo nuk i ikën punës, por nuk mund të mbërrijë. Tash kjo e përvëlon çajin e ne e qesim secili për veti. Nuk jam i kënaqur për këtë se jemi pleq dhe ka disa që nuk munden të çohen në këmbë dhe mund të përvëlohen. Vijnë prej rrugës dhe shërbejnë vetë, kjo nuk është në rregull”, thekson pensionisti Musa Jetullahu.

Përveç kësaj, ai ankohet se ua kanë zvogëluar qendrën, duke ua dhënë në shfrytëzim sindikatave e shoqatave të ndryshme.

“E kanë zvogëluar hapësirën, 70 për qind të hapësirës ia kanë marrë. Krejt vijnë prej stacionit të autobusëve të Podujevës këtu. Prej jashtë, me duar pa la vijnë dhe qesin çaj. I kam pa me sy të mi se e marrin gotën që kanë pi çaj dhe e qesin tek të pastruarat pa e pastruar hiç. Dy zyra i kanë zënë për pensioneret, disa për sindikatë të pensionistëve. Kanë çelë biznes këtu, na e kanë zënë një zyre. Ne nuk dimë më çka me thënë. Nuk kemi hapësirë as ku të ulemi. Këtu ka mbet vetëm edhe një autoshkollë të hapet dhe ne të dalim në rrugë”, thotë Jetullahu.

Të njëjtën kërkesa kanë edhe pensionistët e tjerë.

“Kur është nxehtë dalim nëpër shesh e tash s’mundemi me qëndrua jashtë, vijmë këtu. Një strehim i mirë është se ne të moshuarit nuk kemi çfarë të bëjmë as në shtëpi, as këtu, por këtu po luajmë së bashku, e kemi gjetur një gjuhë të përbashkët. Kisha bë lutje të hapet qendra te Katedralja të shkojmë aty më afër. Kishte me qenë mirë të i sjelli disa punëtorë se po i dridhen duart këtij e mua dhe mund t’i derdhim e të prehehmi. E kisha lutë komunën të na bije ndonjë punëtorë le të na qesin çaj”, thekson në tjetër pensionist.

“Po na japin çaj. Po na sjellin sheqer e çaj. Por vet po i qesim se s’ka punëtorë. Për pensione me na i rritë. Qetu po e heqim mërzinë me qeto letra, me shah. Prej 8ve vije këtu deri në ora 15:00. Pastaj shkojmë prej shtëpie. Ne këtu vijmë, tjetër kund s’kemi ku të shkojmë. Këtu si shkret kemi mbetur. Po na japin çaj. Po na sjellin sheqer e çaj. Por vet po i qesim se s’ka punëtorë”, shton pensionisti tjetër Sali Bulliqi.

Mungesa e punëtorëve nëpër qendrat ditore të Prishtinës kanë bërë që të mbyllen dy nga to.
Ajo në “Ulpianë” dhe ajo afër Katedralës tash e një kohë nuk janë në dispozicion për të moshuarit.

Drejtoresha e Mirëqenies Sociale, Adelinë Sahiti, ka thënë për KOHËN se fillimisht ato janë mbyllur në mungesë të punëtorëve, porse tani ata po shikojnë mënyrën e ridizajnimit të tyre.

Sherif Kastrati, sekretar i Lidhjes së Pensionistëve, thotë se shteti në përgjithësi duhet të bëjë më shumë për pensionistët.

“Ata kanë nevojë për një hapësirë të madhe, që shoqërohen së bashku, por duhet shteti të interesohet. Ndryshe nëse vazhdon me këtë avaz, pos që kanë të hyrat e vogla, ata nuk kanë se ku të relaksohen. Shtetin tonë e ka gjet një situatë e tranzicionit, që nuk po mund ta gjejnë një zgjidhje për pensionistët. Kemi mbetur edhe me të vjetrën dhe me të renë. Kemi nevojë për një reformë të thellë, por për këtë duhet të mendoj shteti. Ne kemi mundësi të ndihmojmë shtetin po r edhe ai duhet neve. Pensionistët në të gjitha anët janë të mjerë. Nuk kanë as dëfrim as të hyra. Do të mbes shtresa më e nënshtruar, më e nënçmuar”, thekson Kastrati.

Sipas tij, të moshuarit kanë nevojë për më shumë lokacione se ku të kalojnë kohën.

“Duhet të ketë lokacione, kur them modernizimi i kohës na ka gjetur të pa përgatitur. Përpara kemi qenë nën ombrellën tonë, do të thotë prindërit i kemi ndihmuar, ndërsa në këtë kohë dinamika nuk len për t’iu ndihmuar pleqve, fëmijët tanë prindër. Sepse ata fëmijë kanë nevojë për të punuar, shumë të rinj kanë dalë jashtë ndërsa për të moshuarit nuk kujdeset askush. Për të zgjedhur problemin duhet shteti të na mbështetë neve dhe ne ata. Jemi në mëshirën e kohës”, deklaron Kastrati.

Ndryshe, përveç kësaj, pensionistët kërkojnë të kenë edhe lloje më të mira të shahut se këto që i posedojnë aktualisht.