SOT

Mulliri 300-vjeçar i Shalës

I shtrirë në qendër të fshatit dhe i rrethuar nga bjeshkët e larta të Shalës, Mulliri i Isuf Hoxhës vazhdon ta ruajë traditën e tij.

Një mulli uji i ka mbijetuar kohës për më shumë se 300 vjet derisa edhe sot shërben si pikë kryesore e furnizimit të fshatrave përreth Shalës.

Sani Hoxha, që prej më shumë se 20 vjetësh ushtron profesionin e mullisit, thotë se mulliri me gjithë bombardimeve i mbijetoi edhe kohës së luftës në Kosovë.

Hoxha mullirin e trashëguar prej babait e ka ruajtur me krenari ndër vite. Thotë se për bluarje në këtë mulli vijnë edhe banorë të zonave të tjera larg Shalës.

Kjo për shkak të historisë dhe vlerave historike që mulliri bart më vete.

I furnizuar nga rrjedhja e lumit Drenica, që prek fshatin përmes Carralevës, këtu Hoxha çdo ditë bluan kilogramë të shumtë mielli.

Nga gruri në elb, ai thotë se, kërkesat janë të mëdha për bluarje, ndërsa mekanizmi i vjetër i mullirit, sipas tij, e mundëson bluarjen shumë më kualitative sesa ai i mullinjve me rrymë.

‘’Mulliri i Isuf Hoxhës’’ në Shalë për shkak të vjetërsisë ka nevojë për riparim, thotë Sani Hoxha, mirëpo një gjë e tillë edhe më tutje nuk ka ndodhur.

Ai shpreson se ky mulli do t’i nënshtrohet restaurimit për shkak të vlerës historike të tij jo vetëm për banorët e fshatit, por edhe për gjithë vendin.