Kanë zgjedhur një emër të veçantë për të përshkruar veprimtarinë e tyre.
‘’Bletëpunëdore’’ është hapësira e motrave Genta e Alba Bllaca të cilat aftësitë e tyre të qëndisjes i kanë kthyer në profesion përmes shitjes së shumë punimeve që ato i kanë në punishten e tyre.
Punimet, shumica të krijuara vetëm me dorë, ato i promovojnë në rrjete sociale si hapësirën e vetme për klientë nga i gjithë vendi.
Edhe pse kanë nisur punën në tetor të 2020-s ato kanë arritur që për pak kohë të krijojnë një koleksionin të veçantë.
“Gjithë puna jonë ka filluar në tetor kur e kemi ble makinën e parë të qepjes edhe prej aty e kemi shndërruar ëndrrën tonë në realitet, ku për prodhim të parë i kemi pasur setet me maska, kuleta e çanta...”
Gjithë puna e tyre nisi nga kjo makinë e qepjes, e vjetër mbi 80 vjet.
Kjo ruan një histori të veçantë për dy kreatoret e reja që në punën e tyre të përditshme gjejnë inspirimin përmes “Singerit’’ të famshëm.
Personalizimi i krijimeve sipas dëshirës së klientëve është ajo që i bën ato të shquhen në këtë drejtim.
Shumë nga modelet është dashur t’i rikthejnë përsëri në shitje, për shkak të kërkesave të shumta, thotë Genta .
Dashuria ndaj profesionit dhe vullneti për të punuar gjithmonë deri në detaje ka bërë që dy motrat të njihen për punën e tyre edhe nga organizata të ndryshme.
Përpos linjës së çantave që ato tashmë e kanë në treg të dyja janë duke punuar edhe në krijimin e byzylykëve të dorës.
Në ateljen e tyre të improvizuar në kushte shtëpie çdo ditë ato sjellin diçka të re duke mos përjashtuar mundësinë që në të ardhmen të zgjerojnë fushë-veprimtarinë e tyre.