SOT

Mollopolci ndërton kullë dedikuar 200 dëshmorëve

Janë mbi 200 dëshmorë të Zonës Operative të Nerodimes nga 5 komunat e ndryshme, me figurat e të cilëve po përfaqësohet kulla në Mollopolc të Shtimes, e cila në 16-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës u përurua dhe hapi dyert për vizitorë.

Që nga paslufta ishte menduar ideja për të ngritur një kullë të tillë, në të cilën do të ruheshin kujtimet e atyre që kontribuuan për lirinë e vendit dhe ishin pjesë e Zonës Operative të Nerodimës. Kulla u ndërtua brenda një viti dhe kapi vlerën e 100 mijë eurove.

Përveç fotografive, kjo kullë-muze së shpejti do të fillojë grumbullimin e gjësendeve nga koha e luftës.

Kati i parë ruhet si muze, e siç e do zakoni, edhe kulla ka odën e saj tradicionale shqiptare.

Në katin e dytë në frymën e odës që dikur kuvendoheshin çështjet kombëtare, tani në kohën e lirisë po flitet për të ardhmen dhe zhvillimin e vendit, por shfrytëzimin e saj do të mund ta bëjnë vetëm komandantët dhe familjarët e dëshmorëve.

Kryetari i fshatit, Demokrat Mujota, thotë se të gjitha familjet e dëshmorëve kanë lidhje emocionale me fshatin Mollopolc, pikërisht siç kishin pasur edhe vetë ata, madje ka një kujtim të freskët me të ëmën e dëshmorit, Ahmet Kaçiku.

Kryetari i fshatit thotë se me plotësimin e mëtutjeshëm të kullës, së shpejti do të fillojë edhe me organizimet e ndryshme të vizitave, të cilat në fokus kanë informimin e gjeneratave të reja për historinë e vendit, ruajtjen e vlerave e heroizmin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.