5 dekada i kaloi me këtë zeje. Mjeshtri Bashkim Tejeci nga Prizreni, si 15-vjeçar filloi me zanatin e filigranit, e që atëherë çdo ditë e më shumë perfeksionoi punën, e tani është një ndër mjeshtërit më të njohur që ka vendi.
Puna me filigran është unike, kështu e përshkruan mjeshtri zanatin që e ushtron.
Nga një fije mund të krijohet një punim unik, por deri në finalizimin e saj me të gjitha detajet duhet të kihet kujdes e madje edhe nëse ka flakë më shumë e gjithë puna mund të shkojë dëm.
Sipas mjeshtrit, sa më i vjetër të jetë produkti me filigran, aq më e madhe është vlera e tij.
Mjeshtërit e filigranit në Prizren janë bërë bashkë dhe po mbajnë kurse për gjeneratat e reja në mënyrë që të mos shuhet zanati, ata madje synojnë edhe formimin e shkollës së filigranit.
Sipas tij, ndërkombëtarët e vlerësojnë më shumë punën e filigranit e sidomos punëdoren.
Filigrani konsiderohet të jetë një prej zejeve më të njohura dhe të vjetra të Prizrenit, madje dikur në këtë qytet kishin qenë afro 40 dyqane të tilla, por tani vështirë gjenden dhe interesimi për to nuk është i lartë, por me shkollën që synohet të hapet janë gjasat që ndryshimet mund të bëhen në të mirën dhe ruajtjen e këtij zanati.