Rrugët e Jezercit janë ato që shpesh përshkohen nga tre çiklistë e ndonëse me profesione të ndryshme, bashkë i bën pasioni.
Njëri stomatolog, tjetri specialist i kimisë e i radhës piktor, një gjysmë tjetër të ditës bëhen çiklistë.
Nazmi Kupina, Alaudin Elezi e Sadik Mehmeti janë tre shokët që bashkë shëtisin në vende të papërshkuara më parë.
Doktor Kupina rrëfen se një ditë e tyre është e mbushur përplot me aventura e përjetime nga më të ndryshmet.
Si një profesion me ngarkesë që është stomatologjia, Kupina thotë se dalja në natyrë me biçikletë ndikon në largimin e stresit, por jo vetëm.
Udhëtimet nuk i kanë të kufizuara vetëm brenda shtetit, 59-vjeçari tregon për terrene më të vështira të eksploruara.
E meqë doktorin e kanë në rast nevoje, pjesë e grupit është edhe syri i një artisti.
Alaudin Elezi thotë se në mbi 40 km që i përshkojnë në ditë, memorizon në kujtesën e tij qindra peizazhe që më pas i vendos në letër.
Elezi thotë se pas daljeve të shpeshta në natyrë, ai është lidhur shumë me bukuritë e vendeve që i kanë vizituar.
E kush më mirë se një kimist i specializuar i vëren detajet gjatë udhëtimeve.
Sadik Mehmeti është bashkudhëtari tjetër i dy të parëve, i cili rrëfen për katër vjet eksperiencë të kaluara bashkë.
Normalisht që në rrugë më të gjata edhe vështirësitë janë më të mëdha.
59-vjeçari tregon për rreziqet që i kanë kaluar qoftë nga kafshët e egra apo edhe nga mungesa e gjërave elementare.
E për t’i mënjanuar këto sfida, tre b çiklistët mundohen të kompletohen me pajisjet e nevojshme megjithatë edhe në raste kur kanë mbetur pa zgjidhje, njerëzit bujarë gjatë rrugës u kanë ofruar zgjidhje.
Tre çiklistët ndonëse kanë moshë më të shtyrë e edhe kanë profesione të ndryshme gjejnë kohën për një aktivitet të tillë, sepse qoftë çiklizmi apo edhe sportet e tjera përmirësojnë mirëqenien e organizmit, andaj ata dëshirojnë të jenë motivi i çdo të riu.